Lladrovci: Ndeshja ndaj Ballkanit, jetike për Feronikelin

31 maj 2020 | 19:48

Më 2 qershor pritet edhe zyrtarisht të rikthehet futbolli i Kosovës me ndeshjen e parë të Kupës, Prishtina-Drenica.

Pas një dite, Ballkani vendas do ta presë Feronikelin, të cilët janë fitues aktual të Kupës.

Kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci e sheh ndeshjen përballë liderit aktual, Ballkanit, si mjaft të vështirë.

“Kjo është ndeshje super e rëndësishme për të dy skuadrat, do të jetë e vështirë për faktin që Ballkani është lider me meritë i Superligës dhe ka qenë në formë shumë më të mirë, krahasuar me ne që i kemi pasur luhatjet tona gjatë kampionatit”, ka thënë fillimisht Lladrovci.

“Për ne kjo përballje ka rëndësi jetike pasi që e kemi synimin kryesor daljen në Evropë dhe gjasat janë të mëdha që me tri ndeshje të arrijmë objektivin përmes Kupës”, ka shtuar Lladrovci.

Kurse, mbrojtësi me shumë përvojë, rikthimin në fushë pas pothuajse tre muajsh e sheh si jo të lehtë, ani se skuadra e tij është e gatshme që të zbresë në fushë.

“Për faktin se nuk kemi luajtur në tre muajt e fundit, kjo është vërtetë jo e mirë pasi nuk kemi pasur leje të luajmë asnjë ndeshje miqësore për të parë formën tonë momentale, mirëpo ne kemi stërvitur mirë dhe gjatë pushimit individualisht por edhe kohët e fundit në ekip dhe besoj se jemi gati për ndeshjet e mbetura”, ka deklaruar Lladrovci.

Për fund, kapiteni i Feronikelit tha se do të donte një përballje drenicase në finale në mes të Feronikelit e Drenicës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbledhja e Qeverisë në detyrë është mbajtur pa prezencën e…