
Lladrovci për dorëheqjen e Mehajt: Nuk u gëzova aspak
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se nuk është i gëzuar me dorëheqjen e Armend Mehajt nga posti i ministrit të Mbrojtjes.
Ai ka thënë se Mehaj ishte ministër që la gjurmë në zhvillimin e fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës dhe përafrimin e saj me NATO-n.
“Dorëheqja e Ministrit Armend Mehaj, nuk më gëzoi aspak. Ai ishte ministër që la gjurmë në zhvillimin e fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës dhe përafrimin e saj me NATO-n. Ai ka dëshmuar lidership me vizion dhe integritet në funksionin madhor në krye të ushtrisë tonë, të dalë nga ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar Lladrovci në “Instagram”.
I pari i Drenasit ka thënë se është befasuar nga Mehaj në takimin e parë.
“Në takimin e parë më ka befasuar me kujtimet e përbashkëta tona familjare të cilat unë nuk i kam ditur, nga ajo ditë, respekti im për ministrin Mehaj, ka qenë maksimal. Një ushtarak i rritur në Norvegji e të ketë dije e njohuri për detaje të tilla, më lanë kujtime të paharruara me respekt”, ka shkruar Lladrovci.
Sipas Lladrovcit, Mehaj ka lartësuar ushtrinë e Kosovës “me pjesëmarrje të ushtarëve e oficerëve në nivele ndërkombëtare, duke e afruar me popullin, me nderime për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, duke mos përjashtuar vlerat e UÇK-së dhe të gjithë kontribuuesit e lirisë tone”.
“Si njohës i vlerave të NATO-s, ministri Mehaj, Ushtrinë e Kosovës e fuqizoi partneritetin dhe besueshmërinë me aleatët, me potenciale të reja, vizion të arritshëm, krah vendeve aleate. Sot, ndjej keqardhje për dorëheqjen e tij, por, jam i bindur se profesionistët si ai, janë dhe mbesin vlerë e kombit”, ka shkruar Lladrovci.
Në fund, ai e ka falënderuar “thellë” Mehajn për punën që ka bërë për ushtrinë e Kosovës dhe i ka uruar suksese në punë e në jetë.
“Shpreh falënderim të thellë për punën që ka bërë për ushtrinë e Kosovës, ministri Mehaj. I uroj suksese në punë e në jetë!”, ka shkruar Lladrovci.