Lladrovci për Hisen Berishën: Ka dhënë kontribut të shquar në luftën çlirimtare, TMK, FSK dhe është deputeti më i zëshëm
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim deputetin aktual të Kuvendit të Kosvës, njëherësh edhe kandidat për deputet me numër 67 edhe për një mandat në zgjedhjet e 9 shkurtit, Hisen Berishën.
Lladrovci përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se Hisen Berisha ka dhënë kontribut të shquar gjatë luftës çlirimtare, së pari në UÇK, në TMK dhe FSK, për të vijuar me jetën publike si deputet i zëshëm rreth sigurisë dhe çështjet e ndërlidhura me këtë kapitull tejet të rëndësishëm të shtetit tonë.
“Sot e prita në takim, Hisen Berishën, mikun tim, i cili dha kontribut të shquar gjatë luftës çlirimtare, së pari në UÇK, në TMK dhe FSK, për të vijuar me jetën publike si deputet i zëshëm rreth sigurisë dhe çështjet e ndërlidhura me këtë kapitull tejet të rëndësishëm të shtetit tonë. Në shenjë nderimi, Hisenit ia dhurova librin e Bedri Islamit kushtuar heroit e heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci. Mikut tim i urova suksese në zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Tërë jeta e tij është e lidhur për Kosovën ma mirë!”, ka shkruar Lladrovci.
Për këtë takim ka shkruar në “Facebook” edhe vet Berisha.
“Sot e nisëm ditën e kampanjës elektorale në Drenas, ku u mirëprita ngrohtësisht dhe me shumë vlerësim nga Kryetari i Komunës, z. Ramiz Lladrovci. Përveç mbështetjes dhe inkurajimit të madh që gëzoj në këtë komunë nga qytetarët, votuesit dhe përkrahësit tanë të shumtë, ndjenja e veçantë e krenarisë më vjen nga bashkëluftëtarët e mi. Në Drenas dhe mbarë Drenicën, këta 512 bashkëluftëtarë përfaqësojnë një lidhje të pathyeshme vlerash dhe idealesh. Gjatë këtij takimi pranova si dhuratë të veçantë librin e autorit Bedri Islami, për heroin dhe heroinën “Përjetësia e dyfishtë: Fehmiu dhe Xheva, një jetë e jashtëzakonshme”, një vepër që sjell një mesazh të fuqishëm nga Heroi Kombëtar Fehmi Lladrovci: “Vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor.” Ky libër është një dëshmi e përjetshme e sakrificës, guximit dhe idealit të lartë të Fehmiut dhe Xhevës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Berisha.



