Lladrovci: Pozat atdhetare të disa krerëve të shtetit janë artificiale

28 nëntor 2025 | 14:10

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladroci, në këtë ditë feste, ka bërë një postim të gjatë në “Facebook”, ku ka “goditur” disa krerë të shtetit dhe personalitete, se pozat e tyre atdhetare, janë artificiale,

Ai ka thënë se tri ditë atdhetar në vit, janë të pamjaftueshme për gjendjen në të cilën është vendi.

Lladrovci ka thënë se kjo datë madhështore, bëhet më provokuese për ata që e synojnë votën me 28 dhjetor.

“Çfarë kemi bërë ndërmjet dy 28 nëntorëve, çka kemi ndryshuar? Kjo datë madhështore, bëhet më provokuese për ata që e synojnë votën me 28 dhjetor, andaj, kapja e vullnetit qytetar me flamurin kuq e zi, duket veprim më i lehtë se dëshmia e punës gjatë një viti apo një mandati nën hijen e këtij flamuri. Pyes, si një nga ata që nuk i deshti plumbi, çfarë do të duhej të bënim menjëherë që shteti ynë të ishte më i suksesshëm, hapësirë më e lumtur për të rinjtë tanë, hapësirë më optimiste për familjet e Kosovës, shtet më i drejtë, shtet i cili më shpejtë ofron zgjidhje të sfidave, shtet më efikas dhe shtet çfarë e duan të gjithë qytetarët”, ka shkruar Lladrovci.

Edhe ky 28 nëntor, ka thënë ai se në Kosovë do të shënohet në situatë jo aq optimiste, “megjithëse festë që bëhet më përfshirëse besa edhe e lidhur ngushtë me fushatën.”

Në fund, Lladrovci  është shprehur se tri herë në vit atdhetar nuk mjafton, e besa as 365 ditë.

“Mendja ma thotë se tri herë në vit atdhetar, nuk mjafton. Në tri ditët më të shënuara për qytetarët e Kosovës, 28 nëntor, 17 shkurt dhe më 5 mars, nuk mjaftojnë të jemi atdhetar. Madje, edhe 365 ditë atdhetar, është e pamjaftueshme nga gjendja ku jemi. Atdhetar me vepra – me punë, me efikasitet në përmbushjen e përgjegjësive, gjatë 365 ditëve, na jep shpresë se mund të përmbushim shekullin tonë të jetës, punës dhe atdhetarizmit, duke e bërë Kosovën shtet të denjë, ashtu siç e deshtën ata që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Ashtu e duan edhe heronjtë tanë të luftës dhe paqes, të cilët edhe sot, në këtë ditë të shënuar të kombit, ndodhen në përballje për të drejtën tonë për liri, për pastërtinë e luftës tonë çlirimtare, për rrugën tonë euro-atlantike. Po, e them me bindje të plotë se nuk mjafton të jesh atdhetar dhe i veshur me ngjyrat e flamurit kuq e zi, vetëm tri ditë të vitit, bile, 365 ditë janë pak!”, ka shkruar Lladrovci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka festuar në mënyrë madhështore…