
Llapi ‘blindon’ Ramadanin
Klubi i Llapit vazhdon të jetë aktiv në këtë afat kalimtar, duke bërë ndryshimet e nevojshme për sezonin e ri futbollistik, por edhe duke ruajtur boshtin e skuadrës. Në këtë drejtim, Llapi e ka “blinduar” yllin e saj Arbnor Ramadanin duke rinovuar kontratën edhe për tre vite të tjera.
“Klubi Futbollistik Llapi ka kënaqësinë të njoftojë vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin Arbnor Ramadani, i cili ka firmosur kontratë të re trevjeçare me klubin tonë. Ky vazhdim vjen si rezultat i vullnetit të përbashkët mes klubit dhe futbollistit për të vazhduar rrugëtimin së bashku drejt synimeve të mëdha që na presin”, thuhet në njoftimin e Llapit.
Skuadra nga “Zahir Pajaziti” vlerëson se Ramadani është bërë shtyllë e rëndësishme e mesfushës që nga viti 2018, përveç një sezoni të vetëm jashtë klubit (2022/23 – SC Gjilani). Në total, “Noli” ka zhvilluar 187 paraqitje, ka realizuar 20 gola dhe ka dhuruar 25 asistime me fanellën bardhekaltër – një rekord që e radhit mes futbollistëve kyç të Llapit viteve të fundit.
“Pavarësisht interesimit nga klube tjera, 10-shi ynë vendosi t’i qëndrojë besnik klubit dhe tifozëve tanë, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e palëkundër të tij për fanellën bardhekaltër”, thuhet në njoftimin e Llapit.
/Epoka e re/