
Llapi fillon përgatitjet me 1 korrik, synon të rikthehet në garë për trofe
Klubi Futbollistik Llapi ka njoftuar se të martën, më 1 korrik do të nis zyrtarisht fazën përgatitore për edicionin e ri garues 2025/26. Grumbullimi i parë i skuadrës do të bëhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 17:00, ndërsa seanca e parë stërvitore do të zhvillohet në ora 18:00.
Në njoftimin e klubit që drejtohet nga Tahir Batatina thuhet se synim është që klubi të rikthehet në garë për trofe.
Siç dihet Llapi në edicionin e fundit mbajtësen në Superligë e arriti vetëm nëpërmjet ndeshjes se barazhit, kurse në garën e Kupës ishte me suksesshme duke u kualifikuar deri në finale, por aty pësoi humbje nga skuadra e Prishtinës.
“Skuadra do të jetë e kompletuar me përforcimet e reja si dhe me futbollistët që kanë mbetur nga edicioni i kaluar, me synim të qartë – të rikthehemi në garë për trofe dhe plasman në garat evropiane. Gjatë kësaj faze përgatitore janë planifikuar disa ndeshje miqësore, si dhe një fazë përgatitore jashtë vendit, për të cilat do të jeni të informuar në vijim përmes mjeteve tona të informimit”, thuhet në njoftimin e kësaj skuadre. Llapi ka bërë me dije se gjatë fazës përgatitore, do të mbajë opinionin e njoftuar në vazhdimësi për të gjitha zhvillimet nga kampi bardhekaltër – përfshirë afrimet, largimet dhe çdo risi që lidhet me ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri futbollistik.