Llapi përmbys Malishevën në “Liman Gegaj”

04 tetor 2025 | 23:17

Në kuadër të xhiros së tetë të AlbiMall Superligës së Kosovës sot janë zhvilluar dy ndeshje mjaft interesante, ku Prishtina dhe Llapi kanë arritur fitore të rëndësishme.

Në derbin e javës, të zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, Prishtina triumfoi ndaj Ballkanit, me rezultat 1:0.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Blend Baftiu në frymën e fundit, duke realizuar ndaj ish-skuadrës së tij.

Ky gol erdhi në minutën e 6-të të shtesës, pak pasi Ballkani mbeti me një futbollist më pak në fushë, pas përjashtimit të Arbër Potokut me karton të kuq.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë dhe u mbyll pa gola, megjithëse rastet nuk munguan në të dyja portat.

Me këtë fitore Prishtina forcon pozitën e parë në renditje, me 19 pikë, derisa Ballkani mbetet i dyti, me katër pikë më pak.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të ditës, të zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, skuadra e Llapit shënoi fitore me përmbysje rezultati ndaj Malishevës, me shifrat 2:1.

Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 55-të me golin e Besnik Feratit, por llapjanët reaguan shpejt. Axel Gnapi barazoi rezultatin në minutën e 61-të, ndërsa Muhamet Hyseni, vetëm pak kohë pasi u inkuadruar nga bankina, shënoi golin e fitores në minutën e 85-të.

Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Llapin, që tani ka 9 pikë dhe renditet në vendin e gjashtë të tabelës, ndërsa Malisheva mbetet me 10 pikë në pozitën e pestë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt nga radhët e…