
Llapi prezanton futbollistin nga Bosnja dhe Hercegovina, Enedin Mulaliq
KF Llapi ka zyrtarizuar një tjetër përforcim për edicionin e ri futbollistik 2025/2026, duke shtuar cilësi dhe përvojë në repartin defensiv. Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë nga Bosnja dhe Hercegovina, Enedin Mulaliq.
“KF Llapi ka kënaqësinë t’ju prezantojë Enedin Mulaliq si përforcimin më të ri të skuadrës sonë. 21-vjeçari nga Bosnja dhe Hercegovina ka nënshkruar kontratë trevjeçare me bardhekaltrit dhe tashmë i është bashkuar ekipit në fazën përgatitore para sezonit të ri”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit llapjan.
Mulaliq luan në pozitën e mbrojtësit të djathtë dhe është rritur si futbollist në akademinë e njohur të FK Sarajevo, duke kaluar me sukses të gjitha grupmoshat deri te skuadra seniore. Më pas, ai ka veshur fanellat e FK Sloboda Tuzla dhe së fundmi të HSK Posušje, duke grumbulluar përvojë të rëndësishme në futbollin boshnjak.
“Ky transferim i rëndësishëm është finalizuar falë bashkëpunimit të ngushtë mes klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit, Jusuf Çizmiç dhe Anis Bujak, të cilët i falënderojmë për angazhimin dhe kontributin e dhënë në realizimin e këtij transferimi. Besojmë se Enedin Mulaliq do të jetë një element kyç në përmbushjen e objektivave tona për sezonin e ardhshëm,” thuhet më tej në komunikatën e klubit. Me këtë përforcim, Llapi synon të forcojë më tej mbrojtjen dhe të shtojë konkurrencën brenda skuadrës, në përpjekje për të arritur objektivat e klubit.
/Epoka e re/