Llapi triumfon në Suharekë, Dukagjini bindës dhe barazim spektakolar në Gjilan
Llapi ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj Ballkanit, duke triumfuar me rezultat 4:2 në ndeshjen derbi të xhiros së 14-të të AlbiMall Superligës së Kosovës. Takimi në Suharekë ishte mjaft dinamik dhe prodhoi gjashtë gola, me shumë kthesa dhe ritëm të lartë loje. Ballkani kaloi i pari në epërsi qysh në minutën e 3-të me gol të Valentin Serebe, por Llapi reagoi fuqishëm dhe përmbysi rezultatin me golat e Edon Sadriut, Muhamet Hysenit dhe Axel Gnapit, duke shkuar në pushim me avantazh 3:1. Në pjesën e dytë, Serebe ngushtoi shifrat në 3:2, por vetëm pak sekonda më vonë Hyseni realizoi golin e tij të dytë personal për fitoren e Llapit 4:2. Pas këtij triumfi, Llapi ngjitet në vendin e pestë me 20 pikë, ndërsa Ballkani mbetet në pozitën e dytë me 23 pikë.
Dukagjini ka vazhduar formën e mirë, duke shënuar fitore të pastër 3:0 ndaj Drenicës në Klinë. Iljasa Zulfiu realizoi dy golat e parë të ndeshjes në minutat 25 dhe 39, ndërsa Dardan Morina vulosi fitoren me golin e tretë në pjesën e dytë. Me këtë triumf skuadra klinase ngjitet në vendin e tretë me 23 pikë, sa kanë edhe Ballkani dhe Drita.
Emocione të shumta pati edhe në Gjilan, ku skuadra vendase barazoi 2:2 kundër Ferizajt. Golin e barazimit feriajasit e shënuan në minutën e 100-të të takimit. Jakup Berisha realizoi golin e barazimit nga penalltia. I njëjti futbollist më herët kishte shënuar edhe golin e parë për Ferizajn. Ndërkaq, Senad Jaroviq ishte protagonist te Gjilani me dy gola, por përfundimisht skuadra e tij u detyrua të kënaqet vetëm me një pikë. Gjilani mbetet në vendin e tetë me 16 pikë, ndërsa Ferizaj është një pozitë më poshtë me 15 pikë.




