Llapi vazhdon bashkëpunimin me Musollin dhe Eminin

12 qershor 2025 | 12:20

Skuadra e Llapit vazhdon të jetë aktive në kuadër të krijimit të skuadrës për edicionin e ri futbollistik. Pas largimit të Blendi Baftiut dhe Hamdi Namanit, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka vazhduar bashkpunimin me Besar Musollin dhe Benjamin Eminin.

“KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin Besar Musolli edhe për sezonin 2025/26. Musolli, një prej shtyllave të mesfushës sonë, ka qenë pjesë kyçe e ekipit në dy edicionet e fundit, duke regjistruar 68 paraqitje dhe duke dhënë kontribut të madh në fazën defansive. Vazhdimi i tij vjen si rezultat i përkushtimit të dyanshëm – si nga futbollisti, ashtu edhe nga klubi – për të ndërtuar suksese të reja së bashku. Me përvojën dhe profesionalizmin e tij, Musolli është shembull i vërtetë për futbollistët e rinj se si ndërtohet karriera profesionale me përkushtim dhe profesionalizëm”, thuhet në njoftimin e Llapit.

Ndërsa me Eminin kontrata është vazhduar edhe për dy vjetet e ardhshme. “Klubi Futbollistik Llapi me kënaqësi njofton se kapiteni Benjamin Emini ka rinovuar kontratën me klubin edhe për dy edicionet e ardhshme, deri në verën e vitit 2027. Kapiteni ynë është rritur me Llapin dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e sukseseve të klubit vitet e fundit në kampionat dhe në garat e Kupës. Ky vazhdim është dëshmi e përkushtimit të kapitenit Emini ndaj fanellës bardhekaltër dhe vizionit të përbashkët për të udhëhequr ekipin drejt sukseseve. Me besnikërinë ndaj klubit dhe shpirtin luftarak që e karakterizojnë, kapiteni ynë mbetet frymëzim për çdo lojtar të ri që ëndërron të ndërtojë karrierë në klubin tonë”, thuhet në njoftimin e  klubit që ishte finalist i Kupës së Kosovës, derisa sigurimin në Superligë e arriti vetëm nëpërmjet ndeshjes së barazhit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me rastin…