Lluka: Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë ngushtë në fushën energjetike

27 shkurt 2021 | 13:11

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se bashkëpunimi në fushën energjetike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është shumë i nevojshme, sidomos në aspektin e ndërtimit të një hidrocentrali në Shqipëri, ku sipas tij, të dyja vendet më pas do të ishin eksportuesit potencialë të energjisë në rajon.

“Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me Shqipërinë për të ndërtuar bashkërisht një hidrocentral në Shqipëri për ta përdorur për nevoja të balancimit, për rezerva dhe për eksport. Të gjitha këto politika do ta bënin Kosovën dhe Shqipërinë jo vetëm të qëndrueshme në sektorin energjetik por gjithashtu edhe eksportues potencial në rajon. Sot Kosova importon rreth 50 milionë euro në vit energji elektrike, kryesisht nga Serbia, prandaj, pavarësia e përhershme energjetike nga Serbia dhe krijimi i kapaciteteve tona të brendshme për të krijuar siguri kombëtare të furnizimit me energji duhet të jetë prioritet për secilën qeveri, përfshirë edhe qeverinë në ardhje”, është shprehur Lluka.

Ai tutje ka shtuar se energjia elektrike është alfa dhe omega e funksionimit të mirëfilltë të ekonomisë dhe sjelljes së investitorëve të huaj. “Energjia është oksigjeni, uji e ushqimi i ekonomisë së një vendi. Pa stabilitet energjetik nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sidomos për vendet e pasura me minerale të ndryshme siç është Kosova dhe vendet që kanë potencial të shfrytëzohet fuqia e lire punëtore për prodhim. Prandaj, për secilën qeveri, energjia duhet të jetë fokusi primar, në linja të barabarta me arsimin dhe shëndetësinë. Mosstabiliteti energjetik e pamundëson sjelljen e investitorëve afatgjatë dhe serioz në Kosovë”.

“Kompanitë e ndryshme evropiane, që shprehin interesim të lëvizin prodhimin e tyre nga Evropa Perëndimore tek rajonet me kosto me të ulët operative, siç është Ballkani Perëndimor, e kanë parakusht stabilitetin dhe furnizimin e bollshëm energjetik, me kosto kompetitive. Përderisa Kosova qëndron mirë me koston e energjisë elektrike, ne kemi dy probleme të tjera thelbësore: 1. Stabilitetin energjetik dhe 2. Furnizimin me gaz natyral”, ka thënë Lluka.

Ai ka folur edhe për gazsjellësin dhe mundësitë investive në të. “Investimi në tubacionin e gazit nga Shqipëria në Kosovë dhe nga Shkupi në Prishtinë është gjithashtu i domosdoshëm. Tubacioni nga Shkupi mund të instalohet në periudhë të shpejtë kohore pasi ka ekzistuar një tubacion tillë në vitet e ’70-ta, kurse ajo me Shqipërinë është më shumë investim strategjik dhe afatgjatë për vendin. Konsumuesit e mëdhenj të energjisë në prodhim, në të shumtën e rasteve përdorin gazin për nevoja të tyre. Konsumues të tillë janë ata në fushën e minierave, kryesisht në përpunim të mineraleve ku vlera e shtuar është potenciali më i madh në Kosovë, pastaj prodhuesit e produkteve të xhamit, tjegullave, blloqeve dhe materialevetë tilla e deri tek prodhuesit e metalit dhe drurit”, u shpreh ai.

Sipas Llukës, qeveria e ardhshme duhet ta këtë në fokus krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, e jo investimin në impiantet e stërvjetruara.

“Për të krijuar stabilitet energjetik në vend, duhet të investojmë në kapacitet të reja energjetike në kombinim të energjisë së ripërtërishme dhe asaj me thëngjill, duke mbyllura gradualisht termocentralin Kosova A, dhe duke rinovuar tërësisht termocentralin Kosova B. Gjithashtu duke investuar në termocentral të ri me kapacitete më të vogla dhe teknologjitë avancuar si dhe duke rritur numrin e licencave të energjisë së ripërtërishme të kombinuara nga ajo me diell dhe me erë. Termocentrali Kosova A  është jo efiçient, jo i sigurt dhe tejet i vjetërsuar, sepse është ndërtuar në vitin 1962, prandaj çdo përpjekje për renovim do të sjell dështim në stabilitetin energjetik”, ka thënë Lluka.

 

(Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poezi nga Bedri Halimi Zëri yt më tërheq nga toka…