Lluka: Qytetarët nuk janë më konsumues, por burim i energjisë

17 shtator 2019 | 12:58

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, të martën ishte pjesë e konferencës katërditore Java për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kosovës, e cila organizohet në bashkëpunim me Komisionin Evropian, Qeverinë Gjermane, Balkan Green Foundation dhe INDEP, ku qëllimi kryesor është të afrojë ekspertë nga fusha e energjisë dhe ambientit për të diskutuar të ardhmen e vendit në këto fusha.

Gjatë fjalimit hyrës, ministri Lluka ka pohuar se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për energji të ripërtëritshme.

Ai ka bërë me dije se vitin e ardhshëm priten të jepen mbi 200 MW energji solare përmes dy platformave të ndara.

Lluka gjithashtu ka theksuar se përveç mundësisë për gjenerim komercial të energjisë elektrike, potenciali është edhe më i madh tek gjenerimi për vetkonsum, si për shtëpi ashtu edhe për biznese. “Qytetarët nuk janë më konsumues, por burim i energjisë. Çdo çati e shtëpive, paraqet potencial të jashtëzakonshëm për të gjeneruar energji elektrike për vetkonsum. Sot, legjislacioni Kosovar e përkrahë mundësinë e deponimit të tepricës energjetike në rrjetin e distribuimit, për ta përdorur atë kurdo që qytetari ka nevojë”, ka thënë Lluka gjatë konferencës.

Ai ka shtuar se e njëjta vlen edhe për bizneset që operojnë në Kosovë, por fatkeqësisht, akoma nuk kanë gjetur përkrahjen e duhur nga rregullatori i energjisë në Kosovë.

Në këtë konferencë, prezent ishte edhe ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, i cili ka folur për rëndësinë e energjisë së ripërtëritshme dhe ndikimin e saj në vendet e punës dhe ambientin ku jetojmë.

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP ka thënë se i vjen mirë që Qeveria e Kosovës po reflekton në trendet e reja të energjisë së ripërtëritshme.

Java për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kosovë është konferencë vjetore që organizohet në bashkëpunim me Komisionin Evropian, Qeverinë Gjermane, Balkan Green Foundation dhe INDEP ku qëllimi kryesorë është të afroj ekspertë nga fusha e energjisë dhe ambientit për të diskutuar të ardhmen e vendit në këto fusha.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visa Ymeri, ka thënë se…