LOJA ME JURITË DHE ÇMIMET NË KONKURSET LETRARE

06 janar 2026 | 17:03

Bedri Halimi

Ka vite që në shumë qytete të trojeve shqiptare, organizohen manifestime letrare më rastin e përvjetorëve të ndryshëm, që lidhen më ngjarje a figura historike, ku në të gjitha këto manifestime, organizatorët tentojnë të thërrasin mysafirë të ndryshëm, e të shumtë, anë e kënd gjeografisë shqiptare.
Ashtu edhe sikur në botimin e librave të ndryshëm letrar, (veçmas me poezi), ku nuk ka kritere të botimit te disa autorë, por kriteri i vetëm është baza materiale e tyre, se a kanë para për ta botuar librin dhe jo çfarë librash, po botojnë. Këtë e dëshmon vet fakti i përzgjedhjes së redaktorëve dhe recensentëve, ku në shumë raste si redaktor bëhen njerëzit të cilët nuk e kanë shkruar asnjë poezi në jetën e tyre.
Dhe merre me mend tashmë çfarë profesionalizmi, përkatësisht çfarë redaktimi, do t’i bëhet krijimeve letrare nga një mediokër i letërsisë.
Ngjashëm edhe në konkurset e ndryshme letrare caktohen juri, të cilat paraprakisht caktojnë se kush do të jetë fitues i konkursit letrar. Kush do të jetë në vend te parë, kush në të dytë, kush në të tretë, kush do të marr ndonjë çmim special, të emëruar at hock etj.
Në situatat e tilla kur shpallen fitues krijime me kritere jashtë letrare (ndonjë femre, ndonjë njeri i pasur, që ka firmë, e do të bëhet poet, ndonjë person zyrtar, që për shkak të ndikimit në opinion publik, do ta rris këtë ndikim, duke tentuar të bëhet poet, e kështu me radhë), mund të merret me mend, se si do të dalin krijime të tilla, para opinionit lexues.
Krijimet e tilla të ngjallin neveri, duke helmuar shijen e leximit për lexuesit e mirëfilltë. Shpallja e fitueseve në të shumtën e rasteve, bëhet mbi bazën e interesave të organizatoreve të manifestimeve letrare dhe jo në bazë të ndonjë vlere. Në fakt, shumë organizatorë as nuk dinë, çka janë vlerat letrare. Për ta vlerë është interesi personal; vlerë është, qëllimi që duan ta arrijnë; vlerë është shpallja e të përzgjedhurve dhe të preferuarve të tyre si fitues. Pastaj në të shumtën e rasteve lindin pakënaqësitë nga krijues të ndryshëm.
Pakënaqësitë mund të jenë edhe të arsyeshme edhe të paarsyeshme. Të arsyeshme janë kur kritikohet përzgjedhja e poezive fituese, duke dhënë shembuj konkret, se cila poezi ishte më e mirë se poezitë fituese, kurse të pa arsyeshme janë, kur ndonjë krijues e shpall krijimin e tij, më të mirë se sa poezia fituese. E pa arsyeshme është edhe nëse vërtet ajo poezi është më e mirë, por këtë krahasim duhet ta bëjnë të tjerët, për vlerën e poezisë së tij, duke e krahasuar me vlerën e poezive fituese dhe jo vet ai.
Kjo formë e makinacioneve, ndikon në devalvimin e vlerave të njëmendta letrare. Ndikon në krijimin e pakënaqësive të krijuesit të mirëfilltë. Ndikon në promovimin e pseudovlerave si vlerë, në mënyrë të dhunshme para opinionit lexues.
Është e qartë se kriteret estetike janë relative, por edhe përkundër kësaj, një minimum i kriterit duhet të ekzistojë. Në shumë raste për vlera janë shpallur, poezi më tema të ndryshme qoftë historike, patriotike, sociale, të dashurisë etj, ku krijimet e tilla, kanë qenë deklarata, fjali, patetizëm, që e mbysin artin. Dhe si të tilla, na janë servirur, e vazhdojnë të na serviren si vlerë estetike. Edhe në rastet kur poezitë janë të mirëfillta, kriteret e përzgjedhjes bëhen me subjektivizëm, ku si rrjedhojë sërish krijohet pakënaqësi.
Çka jepet si shpërblim në këto manifestime letrare?
Rrallë ndodhë, që fituesit të shpërblehen me mjete monetare, e në të shumtën e rasteve jepet ndonjë dhuratë tjetër, e sidomos nga një mirënjohje, ku shkruhet emri i organizatorit, emri i krijuesit, emri i manifestimit dhe data. Pra një letër dhe për të gjitha këto bëhet zhurmë, duke u krijuar pakënaqësi të panevojshme. Për të gjitha këto, fillon e bëhet debat, se çka tha filani, çka tha fisteku. Apo çfarë e pati poezinë filani dhe çfarë fisteku.
Çmimi i letrës (mirënjohjes) përkatësisht shpërblimit, në këtë rast është bërja publike e emrit të autorit, se paskësh zënë një vend si shpërblim, d.m.th, se krijimi i tij qenka shpërblyer, duke predikuar se ky autor apo kjo autore shkruaka mirë.
Si rrjedhojë lexuesi i rëndomtë kur e has krijimin e shpërblyer me sqarimin se kjo poezi është shpërblyer me vendin e parë, të dytë, të tretë, detyrimisht ndalet për ta parë vlerën e poezisë së shpërblyer. Në rastet kur poezia ka vlera, natyrisht se lexuesi do të ndjehet i kënaqur dhe i relaksuar, por në rastet kur poezia nuk ka vlera, lexuesi do të ndahet i zhgënjyer, duke krijuar imazh negativ jo vetëm për krijuesin apo krijuesen në fjalë, por edhe për manifestimin dhe organizatoret e atij manifestimi.
Cila është ana pozitive e manifestimeve të tilla?
Natyrisht anë pozitive e këtyre manifestimeve është vet takimi i krijuesve mes vete, njohja e krijuesve mes vete, komunikimi rreth sukseseve dhe planeve krijuese e botuese, relaksimi për një moment të caktuar i krijuesve, për t’iu larguar halleve dhe brengave të jetës së përditshme etj.
Pra pa dyshim se organizimi i manifestimeve letrare ka karakter pozitiv, nëse do të kishte seriozitet në çështjet të cilat u përmenden më lartë. Si rrjedhojë, për t’i ikur subjektivizmit vlerësues, më e udhës do të ishte, që përzgjedhja e poezive, që do të lexoheshin në manifestime të tilla, të kalonte nëpër filtra vlerësues të një komisioni të përbërë nga njerëz, që vërtet dinë të bëjnë, se paku vlerësimin minimal të vlerave letrare.
Së dyti, poezitë që duhet të lexohen, të shpallen publikisht në rrjete sociale, të adresës së organizatorit, në mënyrë që krijuesit, të pretendojnë se u është bërë e padrejtë, të kenë mundësi për t’i parë vlerat e poezive të përzgjedhura dhe t’i krahasojnë ato më poezinë e refuzuar.
Natyrisht se në prezantim të poezive të zgjedhura duhet prezantuar edhe përbërjen e komisionit me emra dhe mbiemra, të cilët e kanë bërë përzgjedhjen e poezive për tu lexuar.
Dhe me e rëndësishmja, që do të ishte në këtë rast, është fakti që asnjë poezi të mos shpallej fituese. Pra të mos ketë fare çmime. Për shembull, kështu veprohet në Kërçovë, e në këtë rast nuk krijohet pakënaqësi ndaj askujt. Përkundrazi, krijohet atmosferë vërtet festive letrare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të…