Loja ping – pong me tatimin në pronë në kurriz të qytetarëve!

07 shtator 2023 | 12:59

Reagim i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)

Në fillim të vitit 2023 qytetarët e Kosovës u shokuan me vlerësimin e pronave të tyre që tatimohen për faktin se, për dallim nga viti paraprak, shuma e tatimit ishte 100 e më shumë për qind më e lartë. Shpërthyen reagimet e shumta që kundërshtuan këtë rritje jonormale aq më parë që ishte një përkeqësim i gjendjes materiale për shumicën e qytetarëve, për shkaqe objektive dhe subjektive. Adresa e parë e identifikimit të përgjegjësisë ishin komunat shkaku se ato edhe i merrnin paratë nga tatimi në pronë. Ministria për Financa fillimisht nuk u deklarua deri atëherë kur komunat e ngarkonin me përgjegjësi, si për rritje jonormale të tatimit në pronë sikur edhe për faktin se komunat nuk qenkan konsultuar fare për këtë rritje dhe se Ministria e ka bërë këtë veprim në mënyrë arbitrare. Madje, komunat, në emër të solidarizimit me qytetarë kërkonin që shuma e tatimuar të jetë e njëjtë me vitin paraprak, sikur që kishte propozime që për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike kjo shumë të ulet apo edhe të falen nga kjo barrë. Ministria, si autoritet arbitrar as që mori për bazë kërkesat e komunave të cilat, pas një kohe del të jenë të pasinqerta dhe mashtruese. Ministria e Financave, pa asnjë bazë ligjore propozoi që qytetarëve t’u falen nga 100 euro duke e shndërruar në mundësi për përfitime politike gjë që e realizoi përmes ndryshimit të ligjit i cili edhe u votua në Kuvendin e Kosovës. Në ndërkohë njohësit e çështjeve kushtetuese deklaruan se ky ligj shkelë të drejtat e komunave dhe si i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës të cilën e shfrytëzuan kryetarë të komunave për ta dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese e që së voni e bëri edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës i cili derdhte lotë krokodili për rritje të tatimit në pronë dhe vajtonte fatin e qytetarëve të Kosovës që po keqtrajtohen financiarisht nga Ministria e Financave. Doli që të dy adresat konfrontuese, Ministria e Financave dhe AAK-së janë mashtrues që e sulmojnë njëra – tjetrën vetëm për ta mbuluar mashtrimin që e bënë. Ministria e Financave caktoi datën 15 shtator 2023 kur komunat duhet ta zbatojnë këtë vendim, në njërën anë kurse, në anën tjetër zbatimin e ligjit e shndërruan në vullnet fakultativ (joobligues) të komunave në kohën kur asnjë ligj nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive por se duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë, pa asnjë dallim. Katër – pesë komuna morën vendim për zbatimin e Ligjit në ndërkohë Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim procedural për pezullim të nenit 5 të Ligjit duke e bërë të pamundur faljen e 100 eurove. Nga momenti kur ekspertë të çështjeve kushtetuese e kundërshtuan propozimin e Ministrisë së Financave për falje të 100 eurove , Asociacioni i Komunave në përgjithësi dhe komunat në veçanti filluan të llogarisin humbjet që do ta kishin komunat me këtë falje duke injoruar pandershmërisht interesat e qytetarëve (votuesve) që u dëmtuan shumë me këtë rritje. KMDLNj–ë e ngre një pyetje shumë të thjeshtë; “Çka do të bënin komunat nëse shuma e tatimit në pronë edhe në këtë vit do të ishin të njëjta me vitin e kaluar, pa shumën enorme që i shtohet në tatim të vitit 2023“? Komunat kanë bërë llogari vetëm për interesat e ngushta duke mashtruar dhe dëmtuar shumë qytetarë. Po krijohen kushtet, me mjetet e plaçkitura përmes tatimit në pronë që edhe komunat tjera të blejnë biçikleta prej 3000 eurove siç bëri komuna e Prishtinës, veprim krejtësisht i pamoralshëm aq më parë që shumë probleme komunale janë të pazgjidhura e që paraqesin prioritet për qytetarët.
KMDLNj e kundërshton këtë veprim të pamoralshëm dhe mashtrues të Ministrisë së Financave dhe Asociacionit të Komunave që për pasojë do të penalizojë qytetarët e Kosovës trefishë; përmes rritjes jonormale të tatimit në pronë që duhat ta paguajnë, pamundësinë e faljes së 100 eurove dhe kamatave të larta për mospagim të tatimit në pronë në kohën kur kishte paqartësi se si do të përfundojë mashtrimi ordiner i këtyre dy përgjegjësve për plaçkitje të paskrupullt të qytetarëve.
KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë shtrenjtimin jonormal të tatimit në pronë përmes kundërshtimit ligjor kurse, sa i përket ndëshkimit për pandershmërinë, qytetarët – votues duhet të jenë shumë të kujdesshëm për kënd do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale, kurdo që ato do të mbahen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro…