Lojërat Mesdhetare: Një delegacion ndërkombëtar inspekton impiantet sportive në Prishtinë
Nga 4 deri më 6 nëntor është zhvilluar në Prishtinë vizita e parë në terren e përfaqësuesve të RCAG, kompanisë fituese për hartimin e projektit për Lojërat Mesdhetare 2030. Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte nisja e bashkëpunimit praktik në fazën përgatitore të projektit dhe krijimi i një kuptimi të përbashkët mes palëve për pritshmëritë dhe drejtimin që duhet të marrin punët që duhet të përfundohen.
Delegacioni në fjalë ka parë nga afër infrastrukturën aktuale sportive në Kosovë duke inspektuar disa prej impianteve kryesore sportive si stadiumin “Fadil Vokrri”, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, Bulevardet e Prishtinës (lokacioni i garave të 3×3 basketbollit), Lokacionin e kompleksit olimpik të notit, Parkun Kombëtar të Gërmisë, Zonën e parashikuar për Fshatin e Sportistëve, Qendrën e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe hotelet e parashikuara për “Games Family”.



