Lojtarët e Real Madridit kërkojnë shkarkimin e Xabi Alonsos nga drejtimi i “Los Blancosve”

24 nëntor 2025 | 23:16

Te Real Madridi ka shpërthyer kriza. Pas fitores në “El Clásico”, skuadra e Xabi Alonsos po përjeton një rënie të ndjeshme në lojë dhe intensitet.

Ajo që nisi si një projekt premtues me energji dhe stil agresiv, sot duket e zbehur dhe e tensionuar si në fushë, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes.

Pavarësisht se Reali mban ende kreun e renditjes, alarmet kanë rënë brenda klubit. Burime nga brenda ekipit raportojnë se marrëdhënia mes lojtarëve dhe stafit teknik është ftohur dukshëm, duke krijuar një klimë mosbesimi. Shumë nga futbollistët e rëndësishëm po shtyjnë drejt ndryshimit të trajnerit, të zhgënjyer nga rënia e ritmit dhe mungesa e qartësisë taktike.

Drejtuesit e klubit e konsideruan sfidën ndaj Elches si ndeshjen e momentit të së vërtetës — një shans për të shuar dyshimet. Por ajo solli të kundërtën.

Loja ishte e zbehtë dhe pa intensitet. Problemet taktike u panë qartë në të dy fazat e lojës.

Goli i dytë i pësuar, ku Álvaro Rodríguez kaloi pesë lojtarë Madrilenë për të shënuar “si me ftesë”, zemëroi drejtuesit dhe turpëroi lojtarët.

Në klub kjo u përshkrua si “goli që ekspozoi krizën reale të skuadrës”: mungesë presioni, mungesë agresiviteti, mungesë personaliteti.

Tekniku spanjoll, i sjellë për t’i rikthyer harmoninë dhe stilin modern Realit, tani përballet me sfidën më të madhe që nga marrja e drejtimit. Lojtarët, të cilët dikur shfaqnin përkushtim maksimal, sot duken të shfryrë dhe të ftohtë në momentet vendimtare.

Sipas burimeve pranë skuadrës, disa prej yjeve të dhomës së zhveshjes kanë humbur besimin te projekti i tij dhe i kanë sinjalizuar drejtuesve se një ndryshim në stol është i domosdoshëm para se situata të dalë jashtë kontrollit.

Megjithëse Reali ruan pozitat e larta në kampionat, çekuilibrat e brendshëm dhe rënia në performancë po rrezikojnë sezonin. Klubet e mëdha nuk presin gjatë — dhe këtë e dinë të gjithë në Valdebebas.

Nëse nuk vjen një rikthim i menjëhershëm i lojës dhe unitetit, gjithçka mund të shkojë drejt një divorci të parakohshëm mes Real Madridit dhe Xabi Alonsos.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
(Fjala ime në Akademinë Përkujtimore të LDK-së për Xhemail Mustafën…