Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut, ndër më të rëndësishmit në rajon

22 shkurt 2023 | 08:55

Qyteti i Klinës është i pasur me shumë vende e monumente historike e arkeologjike. Megjithatë zbulimi më i rëndësishëm ndodhi në vitin 2012, ku gërmimet arkeologjike në fshatin Dresnik zbuluan një gjetje me vlerë të jashtëzakonshme arkeologjike, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Ky lokalitet arkeologjik, i cili gjendet në fshatin Dresnik i Poshtëm, rreth 1.5 km në lindje të qytetit të Klinës dhe shtrihet në mes të fshatit dhe lumit Drini i Bardhë, i jep qytetit të Klinës një rëndësi të veçantë dhe është një vend shumë atraktiv për turistë të shumtë nga shumë vende të botës.

Ky fshat i vogël por me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe historike e kulturore, qytet antik, në vitin 2018 ishte përzgjedhur si lokalitet ku u mbajtën “Ditët e Trashëgimisë Kulturore të Evropës”, që synon të thellojë lidhjen në mes njerëzve dhe trashëgimisë si dhe të krijojë kulturën e angazhimit publik në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Gërmimet e vazhdueshme kanë rezultuar më gjetje shumë interesante dhe të rëndësishme për njohjen e qytetërimit të hershëm në Kosovë. Gjatë gërmimeve të viteve 2012-2015, janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha. Kjo lloj Aule mund t`i përket vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë së objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom.

Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti, dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3,7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilën u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi. Po ashtu janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romak të shekullit III dhe IV si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri, pra bëhet fjalë për një ‘’Municipium’’ (qytet antik).

Përveç gjetjeve arkitekturore, gjetjet e lëvizshme si; qeramikë, skulptura, mbishkrime epigrafike, monedha, etj paraqesin rendësinë e këtij lokaliteti.

Duke e pasur parasysh, monumentalitetin, teknologjinë dhe veprat artistike në monumentet e këtij lokaliteti, mund të vlerësohet se është nder lokalitetet me luksoze jo vetëm në Kosovë, por 3 shembuj te tille i kemi vetëm edhe në dy vende tjera në Ballkan (Felix Romuliana dhe Sirmium), të cilat gjendjen e ruajtjes nuk e kane po kaq të mirë sa të Dresnikut.

Bazuar në vlerat historike, arkeologjike, artistike dhe shkencore, aseti lokaliteti arkeologjik i Dresnikut në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Përveç rëndësisë së veçantë arkeologjike dhe vizitave nga turistë nga e mbarë bota, Dresniku është shndërruar edhe vend ku çdo vit organizohen ngjarje të rëndësishme kulturore të mbështetura nga Komuna e Klinës, respektivisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga…