
Lokalizohen motoristët nga Suhareka, shumë shpejt pritet të bëhet tërheqja e tyre
Katër motoristë nga Suhareka shkuan sot në Shtërpcë për atraksion, pa ditur që orë më pas do të nisej një operacion për kërkim-shpëtimin e tyre.
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njoftoi se ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi në qytetin e Shterpcës, për lokalizimin dhe shpëtimin e katër motoristëve.
Sipas SHKKSH, ekipet e saj janë në terren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe janë duke punuar intensivisht për gjetjen e personave të zhdukur.
“OPERACION i kërkim-shpëtimit: Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ju njofton se kemi filluar një operacion kërkim-shpëtimi në qytetin e Shterrpces për gjetjen e 4 motorristav nga Suhareka. Ekipet tona janë të angazhuara në terren së bashku me Policinë e Kosovës dhe po punojnë për gjetjen dhe shpëtimin e tyre”, thuhet në njoftimin e tyre të lëshuar pak minuta më parë.
Tani, Indeksonline raporton se është konfirmuar se motoristët janë lokalizuar dhe shumë shpejt pritet të bëhet tërheqja e tyre.
Sipas informacioneve fillestare, fatmirësisht motoristët janë në gjendje të mirë shëndetësore.