LOKJA

30 shtator 23:44

Zeqir Gervalla (Pozharevcë, burg, 1966)

Lokes Nazë, nënës së Adem Demaçit dhe të gjitha nënave që patën të njëjtin fat!

Frynte veriu 

Acar. Furtunë… 

Një nënë n’dyer t’burgut 

Mbështjellë me gunë; 

Priste ajo Nënë e dashur 

Me një bohçe n’dorë, 

Priste ajo Loke 

Me nga pesë-gjashtë orë… 

– Prit, Halloke, prit, 

– Prit edhe pak! 

E zemra e Nënës 

Pikonte gjak. 

Sa derë që hapej 

Ajo Shqiponjë mali: 

Sytë i bënte katër – 

Mos po i vinte djali. 

Kështu priste ajo Nënë 

Nga burgu në burg: 

Ag e mëngjes – 

Drekë e muzg; 

Prej zyre në zyrë, 

Prej dere në derë: 

Priste ajo Loke 

Dimër e verë… 

– Djali yt, Hallo, 

Ka hyrë n’punë të k’qija… 

Ç’i duhet atij 

Bashkimi, Shqipnia?! 

Rrudhte krahët Nëna. 

– Unë nuk kuptoj! 

Vetëm djalin tim 

Dua ta shikoj. 

E kam rritur e shkolluar 

Me djersë e thonj, 

Që t’i çeli sytë – 

N’terr të mos jetojë… 

I kërcënoheshin Lokes 

Me grushta e fjalë, 

Po zemra e Nënës – 

Më shumë merrte valë: 

– Edhe shtatë a tetë t’i kisha… 

( I çilej Lokes goja ) 

Të gjithë rrugës së tij – 

Prapë do t’i dërgoja. 

I hynin djalit n’qeli 

Ia bënin me gisht: 

“T’ka ardhur Nëna për vizitë, 

Të flasish serbisht!” 

Qeshej djaloshi, qeshej, 

– Po si të pranoj! 

Mua Nëna në djep 

Vetëm shqip më mësoi. 

Tërboheshin bishat, 

Nënëloken e linin të pres! 

Derisa një ditë Ajo 

Lodhet… e vdes… 

Por Nëna edhe e vdekur 

Djalin e kërkon, 

E ai, zinxhirët burgjeve 

Ende i rrapëllon! 

Bota po çuditej: 

– Prej nga kjo fuqi! 

O, kurrë nuk thyhej 

Ai që gjakon LIRI. 

Zeqir Gervalla (Pozharevcë, burg, 1966)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Maqedonia sot votoi për të pranuar marrëveshjen me Greqinë për…