Loris Shoshi, shqiptari që garon për këshillin komunal të Schlieren në Cyrih
Në Schlieren të Kantonit të Cyrihut, ku jeton një numër i madh i komunitetit shqiptar, një emër i ri po hyn në skenën politike lokale. Loris Shoshi, vetëm 24 vjeç, është një ndër sipërmarrësit më të rinj shqiptarë në Zvicër, i angazhuar në fusha si patundshmëria, ndërtimtaria dhe investimet. Tani, ai synon të japë kontributin e tij edhe në politikë, duke kandiduar për Këshillin Komunal të Schlierenit nën siglën e FDP – Die Liberalen. Me energjinë e rinisë dhe përvojën e biznesit, Shoshi dëshiron të sjellë ide të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe përfshirës.
albinfo.ch: Çfarë të ka shtyrë të përfshihesh në politikë dhe të kandidosh pikërisht për FDP dhe për këshillin komunal të Schlierenit?
Loris Shoshi: Kam vendosur të angazhohem në politikë sepse dua të kontribuoj drejtpërdrejt në zhvillimin e komunitetit tim dhe të sjell ide të reja për qytetin e Schlierenit. Zgjodha FDP-në sepse besoj te vlerat e saj për ekonomi të qëndrueshme, liri individuale dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Gjithashtu, kam ardhur tek FDP edhe për shkak të rekomandimit të zotit Perparim Avdyli, i cili më inkurajoi të bashkohem me këtë parti, duke theksuar se këtu mund të kontribuoj aktivisht dhe të zhvilloj interesin tim për politikën lokale.
albinfo.ch: Cilat janë tre prioritetet kryesore që dëshiron të përfaqësosh në politikën lokale?
Loris Shoshi:
Zhvillimi i qëndrueshëm urban dhe ofrimi i banesave të përballueshme.
Infrastruktura dhe transporti publik efikas.
Mundësi për të rinjtë – punësim, arsimi dhe aktivitete sociale.
albinfo.ch: Slogani yt është “Stadt mit Zukunft – lebenswert für alle Generationen”. Çfarë do të thotë kjo në praktikë për banorët e Schlierenit?
Loris Shoshi: Do të thotë që Schliereni është një qytet ku të gjithë, nga fëmijët tek të moshuarit, mund të jetojnë mirë dhe të gjejnë mundësi për zhvillim personal. Kjo përfshin banesa të përballueshme, hapësira publike, arsimin e mirë dhe shërbime sociale të qëndrueshme.
albinfo.ch: Si mendon se përvoja jote në biznes mund të kontribuojë në zhvillimin e qytetit?
Loris Shoshi: Si sipërmarrës i ri në fushën e pasurive të paluajtshme, kam eksperiencë në menaxhimin e projekteve, planifikim strategjik dhe bashkëpunim me aktorë të ndryshëm. Këto aftësi mund t’i përdor për të ndihmuar qytetin në zhvillimin urban dhe për të bërë vendime të bazuara në analizë dhe efikasitet.
albinfo.ch: A e sheh politikën si një vazhdim logjik të angazhimit tënd në ekonomi apo si një fushë krejt tjetër?
Loris Shoshi: Politika dhe biznesi janë të lidhura – të dyja kërkojnë vizion, përgjegjësi dhe aftësi për të bashkëpunuar me njerëz të ndryshëm. Për mua, politika është një mënyrë për të përdorur përvojën time nga biznesi për të krijuar vlera për komunitetin.
albinfo.ch: Si e sheh rolin e të rinjve, veçanërisht të atyre me prejardhje shqiptare, në politikën zvicerane?
Loris Shoshi: Të rinjtë janë energjia dhe ideja e re që i duhet politikës. Personat me prejardhje shqiptare mund të sjellin perspektiva të ndryshme dhe të kontribuojnë në një dialog më të pasur dhe një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
albinfo.ch: A mendon se diaspora shqiptare ka potencial të madh për të ndikuar pozitivisht në jetën publike në Zvicër?
Loris Shoshi: Po, diaspora ka potencial të madh. Angazhimi i saj në politikë, biznes dhe organizata komunitare mund të sjellë ide të reja, projekte të dobishme dhe një kontribut të rëndësishëm në shoqëri.
albinfo.ch: Cili është mesazhi yt për të rinjtë që kanë ide, por hezitojnë të ndërmarrin hapa konkretë në politikë apo biznes?
Loris Shoshi: Mos prisni momentin perfekt – filloni me hapa të vegjël dhe mësoni gjatë rrugës. Kur e shfrytëzoni energjinë dhe kreativitetin tuaj, mund të bëni ndryshime reale.
albinfo.ch: Cila ka qenë sfida më e madhe që ke përballuar deri tani si sipërmarrës dhe si kandidat politik?
Loris Shoshi: Si sipërmarrës, sfida më e madhe ka qenë menaxhimi i rreziqeve dhe gjetja e balancës midis vizionit dhe realitetit të tregut. Si kandidat politik, sfida është të bindësh njerëzit që të besojnë në idetë dhe programin tënd, duke qenë transparent dhe i hapur ndaj kritikave.
albinfo.ch: Si e shikon të ardhmen tënde pas disa vitesh, në politikë, biznes, apo në të dyja?
Loris Shoshi: E shoh të ardhmen time si një kombinim të të dyjave: do të vazhdoj të zhvilloj biznesin, por gjithashtu dua të kontribuoj në politikë për një Schlieren më të mirë dhe më të qëndrueshëm.
albinfo.ch: Çfarë do të të bënte të ndiheshe i suksesshëm në këtë fushatë?
Loris Shoshi: Të arrij të krijoj dialog me sa më shumë banorë dhe të ndikoj në vendime që përmirësojnë jetën e tyre. Suksesi është kur qytetarët e ndjejnë përmirësimin në jetën e tyre të përditshme.
albinfo.ch: Cili është parimi apo vlera që të udhëheq në vendimmarrje?
Loris Shoshi: Transparenca, përgjegjshmëria dhe efikasiteti. Vendimet duhet të bazohen në fakte, të jenë të drejta dhe të kontribuojnë për mirëqenien e komunitetit.




