
LOTËT E NËNAVE
ose shpjegimi pak më ndryshe për hënën e plotë të kristaltë
*
Ma kujton lotin e nënës kur i rrokullisej faqes,
kur rrëfente për babain që nuk i qe kthyer nga lufta.
Ma kujton lotin e viteve të rezistencës,
kur e patën arrestuar Emrushin,
kur e patën arrestuar edhe Bajrushin, Gurselin, Nazifen…
kur e patën arrestuar Bilallin,
për ekzilin e Mustafës dhe Emrushit,
për arrestimin e dytë të Bilallit
pastaj prapë…
Gurseli…,Bajrami, Qamili…
Pastaj Isaku,…prapë Bajrushi,
(bastisjet, përndjekjet e vazhdueshme; shumë…, ecje, ngjitje, dyer, hekura, grila, ringritje…)
pastaj lufta: Gurseli dhe Bajrami – HYJNI;
pastaj lotët për secilin dëshmorë,
për secilin…për secilin luftëtar lirie;
pastaj një si lot i madh: si duket
nga zia e madhe qe ngjitur në qiell…
e, që para do ditësh – më 17 janar
m’u shfaq si hënë e plotë e kristaltë.
ah!…lotët e kristalta të nënave.
(Isuf Sherifi)