Luan Dalipi: Forcimi i rendit nuk është kundër një etnie, por kundër krimit

12 shtator 2025 | 17:54

Kosova sot është më stabile sepse ligji zbatohet — jo më pak stabile për këtë arsye. Pa drejtësi nuk ka stabilitet të qëndrueshëm; “stabilitokracia” ishte dhe është vetëm fasadë.

Për vite të tëra, në emër të “stabilitetit” u mbyllën sytë para krimit, korrupsionit dhe strukturave paralele të financuara nga Serbia në veri. Ishte stabilitet si imazh, jo si drejtësi. Qeveria Kurti e ndryshoi këtë kurs: rendi dhe ligji vlejnë njësoj në të gjitha 38 komunat, jo vetëm në 28 apo 34. U mbyllën rrugë ilegale, u çmontuan laboratorë kriminalë, u ndaluan fermat e paligjshme të kriptovalutave, u integrua policia dhe shërbimet publike.

Përpjekjet për ta interpretuar zbatimin e ligjit si provokim apo rrezik për eskalim—edhe kur ai përfshin Listën Serbe, apo strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi—në thelb pasqyrojnë një standard që nuk i kontribuon sundimit të ligjit, dhe rrjedhimisht/përfundimisht paqes.

Fushata e propagandës së Serbisë që nga lufta e ka shtrembëruar imazhin e Kosovës: ka ngritur si proxy politik LS, ka sulmuar qeverinë tonë dhe ka injoruar punën tonë për qytetarët serbë, përfshirë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Faktet thonë të kundërtën: krimi ka rënë si tek shqiptarët ashtu edhe tek serbët; të ardhurat tatimore janë rritur me 70%, duke zbuluar korrupsionin e së kaluarës; dhe rryma e uji, për të cilat për 23 vjet janë akumuluar borxhe milionash në veri, ka filluar të paguhet nga  qytetarët atje.

Ndërkohë, të drejtat e qytetarëve serbë janë të mbrojtura më shumë se kudo tjetër: 20 nga 120 ulëset në Kuvend janë të rezervuara për pakicat (10 për serbët), ekziston e drejta e vetos për çështje të komuniteteve, pjesëmarrja në Qeveri është e garantuar kushtetueshëm, gjuha serbe është zyrtare në gjithë vendin, shërbimet dhe simbolet janë dygjuhëshe, dhe buxhetet për komunat me shumicë serbe kanë qenë gati dyfish për kokë banori krahasuar me të tjerat.

Kjo nuk është diskriminim — është barazi dhe integrim. Atje ku integrimi ka funksionuar (në 6 komunat serbe në jug), shihen plane më të mira, mbledhje më të larta tatimore dhe shërbime më cilësore. Atje ku Beogradi ka mbajtur strukturat paralele (4 komunat në veri), janë rritur krimi dhe shmangia tatimore.

Prandaj, Kosova nuk barazon qytetarët serbë me strukturat ilegale. Ata qytetarë mbrohen njësoj si të gjithë të tjerët. Forcimi i rendit nuk është kundër një etnie, por kundër krimit.

Demokracia e Kosovës forcohet nga gjykata të besueshme, sundimi i ligjit, polici e barabartë, të dhëna të sakta dhe pluralizëm politik brenda komunitetit serb — njësoj si për shumicën shqiptare. Ashtu si partnerët tanë demokratikë, ne vlerësojmë paqen dhe faktet. Dhe faktet tregojnë: stabiliteti i vërtetë ndërtohet mbi drejtësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësim të thellë për…