
Luan Haradinaj u vra në kufi, u varros në Shqipërinë londineze dhe u kthye si hero në vendlindje
Në 28 vjetorin e rënies së Luan Haradinajt
Imer Xhemail Lladrovci
1.
Para 28 vjetësh, dmth, me 6 maj 1997 bie heriokisht në kufi nga serbët Luan Haradinaj. Plumbi atë e mori në ballë, sepse ai lufoi me guxim të madh. Një grup relativisht i madh mërgimtarësh, përbërja e të cilit njihet mirë, e kaloi kufirin që e ndante atëherë Kosovën e pushtuar prej serbëve nga Shqipëria londineze. Serbët e ruanin shumë këtë kufi, i cili kishte një rëndësi të madhe politike për ta. Kufiri ende ekziston, por tani ka vetëm një funksion të zakontë administrativ dhe nuk mbrohet nga ushtarë që të vrasin si atëherë. Besoj se çdo pjesë e atij kufiri ishte i larë me gjakun e shqiptarëve që për rreth një shekulli, sa ekzistoi ai mes vitit 1913 e vitit 1999, nuk e pranuan politikisht. Por ky mospranim pati një çmim të lartë. Atëbotë ishte ndryshe. Një gjermane që ka jetuar në vitet 1980 në rrethin e Kukësit si mësuese e rusishtes, Waltraud Tunger (Bejko), shkruan në librin e saj të kujtimeve “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri“ se ndarja e shqiptarëve përmes këtij kufiri i largonte njerëzit sikur të ishin banorë të një planeti tjetër. Tunger kufirin që i ndante shqiptarët e shihte më tragjik se Murin e Berlinit. Është e vërtetë se kufiri që e ndante Kosovën nga Shqipëria ka mundur të kalohet dikur vetëm me çmimin e rrezikimit të jetës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës atëbotë ende nuk kishte dalë publikisht dhe ata që nuk e donin luftën thoshin se këta që luftojnë janë dorë e zgjatur e Serbisë. Këto fjalë nuk kujtohen më, sepse në ndërkohë nuk dëgjohen me dëshirë nga ata që i shpikën dhe përdorën për të arsyetuar pasivitetinne tyre, por edhepse në ndërkohë nuk kanë ndonjë funksion tjetër veç atij të përçarjes së panevojshme. Ata që atëbotë luftuan i mbajnë mend mirë ato fjalë fyese, por s’i kujtojnë, pse ndihen ende të lënduar emocionalisht. Por para së gjithash s‘i kujtojnë për shkak të funksionit të tyre përçarës. Ndryshe ndodh me ata që i shpikën ato. Ata janë treguar më kreativë. S‘i përdorin formalisht as ata, por herë pas here, kur iu duhet, i vënë në qarkullim për t‘i stigmatizuar ata që luftuan. Atë vit, me 28 nëntor 1997, dolën publikisht, tre përfaqësues të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci në Drenicë. Njëri prej tyre ishte vëllau i Luanit, Daut Haradinaj, kurse tjetri Rexhep Selimi, i cili ndodhet sot në Hagë e Muje Krasniqi tani dëshmor i kombit.
Në atë kohë të ishe anëtar i UÇK-së ishte një gjë e madhe. Një analist kroat kështu e përshkruan situatën atëherë dhe reagimin tonë sot: “Serbia po i sulmon me dosje dhe dëshmitarë krerët e UÇK-së në Hagë, kurse me fjalë vetë shqiptarët. Atë që e shoh sot në Kosove s‘e shoh askund tjetër në botë. Njerëzit që luftuan me armë në vitet 1998 dhe 1999 shihen si tradhëtarë, kurse ata që refuzuan të luftojnë atëherë trajtohen si atdhetarë. Sot në Kosovë çdonjeri mund të paraqitet trim dhe i fortë, sepse është ShBA-ja ajo që e garanton sovranitetin e saj. Por, megjithatë, trim ishte ai që e mori në krah pushkën e ndryshkur dhe u përballë me Serbinë, në një kohë kur nuk kishte asnjëlloj mbështetjeje ndërkombëtare.“
Pikërisht në këtë kohë Luan Haradinaj po hynte në Kosovë për të kryer aksione guerile të UÇK-së. Atë, siç thonë ata që mbetën gjallë pas këtij aksioni, e ktheu në territorin e Shqipërisë londineze vëllau i tij, Ramush Haradinaj. Luan Haradinaj kishte vdekur ndaj dhe e varrosën, jo pa vështirësi, shteti shqiptar atëherë ishte i ashpër me luftëtarët, në katundin kufitar Vlahën, kurse Rafet Ramën që u plagos po atë natë e kthyen në Tiranë për mjekim. Që atëherë kanë kaluar shumë vjet, por ajo natë, sidomos për ata që ishin pjesë e grupit që kaloi kufirin dhe mbetën gjallë deri më sot, është një ngjarje e dhimbshme që kujtohet sikur të kishte ndodhur dje. Megjithatë, ajo që thotë analisti kroat ka mbetur pjesë e shëmtuar e realitetit tonë politik. Ende kush ka luftuar atëherë shikohet me njëfarë përbuzje pikërisht nga ata që e refuzuan luftën në emër të dofarë idealesh më të larta se lufta që na imponohej. Njeriu shpesh pyet veten se a bëhet fjalë për të njejtin popull që dikur i ngrinte në qiell luftëtarët e vërtetë dhe atij që sot i shanë keta protagoniste të lirisë. Nuk duhet harruar kurrë se liria jonë rrënjët i ka në gjakun e dëshmorëve. Kush e harron këtë gjë, i harron të gjitha një ditë. Sot ne kemi një shtet, sovranitetin e të cilit e sigurojnë Shtetet e Bashkuara, por dikur u luftua e për u derdh gjak për këtë shtet që kemi sot. Këtë të vërtetë mund ta harrojnë vetëm ata që mendojnë se liria vjen me llafe e fjalë të bukura. Nuk iu thoshte kot Gjergj Kastrioti-Skenderbeu shqiptarëve në nëntorin e vitit 1443 se “lirinë e gjeta midis jush“. Disa lirinë s’e patën kurrë në zemër.
Luan Haradinaj në këtë kohë ishte student në Universitetin e Tiranës dhe ishte në të njejtën kohë edhe pjesëtar i UÇK-së. Ende për të nuk është shkruar një monografi që njerëzit të kenë informacionin elementar për jetën e këtij luftëtari të orëve të para. Ende jetojnë shumë njerëz që e njohën dhe luftuan me të për një Kosovë të lirë. Ndoshta gjërat që mund t’i kujtojnë vetëm ata që e njohën nga afër Luan Haradinajn, dikujt mund t’i duken jo shumë të rëndësishme, por këto kujtime janë një thesar i vërtetë që do të zhduken njė ditë, me vdekjen e atyre që e njohën heroin. Marin Barleti na la një libër jetëshkrimor për Gjergj Kastriotin-Skenderbeun me kujtime të ndryshme nga jeta e lufta e tij. Në fakt jeta e tij ishte luftë deri në shtratin e vdekjes. Historianët do të shkruanin pa asnjë dyshim për këtë figurë të madhe të kombit tonë, por figura e tij historike nuk do t’i kishte tiparet plastike që një figurë historike i fiton nga kujtimet e njerëzve që e kanë njohur. Edhe kujtimet për Luan Haradinajn duhet të mblidhen sa ende njerëzit,që e kanë njohur atë nga afër, jetojnë.
Luan Haradinaj ra heroikisht me 6 maj 1997, pra në ditën e Shën Gjergjit, apo si thuhet në popullin e kësaj ane në ditën e Shingjergjit, pra në ditën kur u lind kryetrimi ynë në vitin 1405. Shqiptarët e kanë trajtuar atë si një shenjëtor të vërtetë. Ndoshta nuk është e pavend t‘i them këtu nja dy-tre fjalë për këtë festë popullore.
Viteve të fundit po flitet si për ditën e lindjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Historianët deri më tani nuk kanë gjetur njė dokument që do ta vërtetonte 6 majin e vitit 1405 si ditën e lindjes së kryeheroit tonë, por të dhënat e tërthorta nuk lënë shumë dyshime për këtë datëlindje. Sidoqoftë, në vitin 1998 nuk flitej kështu në mediat publike, sado që dihej edhe atëherë se emrin Gjergj një njeri nuk i vihej pa ndonjë arsye. Sipas kalendarit fetar të mesjetës fëmijtë që lindnin në këtë ditë, pra për Shën Gjergj gjithësesi do të merrnin emrin e shenjëtorit të krishterë. Kishte nja 350 vjet që kishat qenë ndarë, por besimi i krishterë nuk kishte pësuar ndonjë ndryshim të madh. Madje edhe ndarja e kishave mori tiparet përfundimtare juridike tek në shekulin XIX.
Të kthehemi te disa supozime për festën. Dihet se osmanët e luftuan gjatë kultin e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Po të mos kishte qenë shqiptar, kisha ortodokse, edhepse në raporte vasaliteti me osmanët, do të kishte gjetur mënyra për ta shpallur shenjëtor. Gjergj Kastrioti-Skenderbeu luftohej, por të shumtën e herave jo hapur, por në mënyrë të fshehtë, tinzare. Përveç reaksionit inatçor, turqit nuk donin që shqiptarët ta dinin vlerėn e vërtetë të këtij njeriu për historinë e tyre si bashkësi politike. Në fakt shqiptarët në atë kohë ishin një masë e shkapërderdhur njerëzish, pa identitet të qartë politik. Ekziston të paktën një libër osman që është botuar kundër tij në një vend perëndimor shumë vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Edhe historia që rrefen Marin Barleti për rrëmbimin e eshteave të tij si hajmali nga ushtarët turq nga varri i tij në Lezhë, është një mit që e maskon të vërtetën. Dihet se ata që e kanë studiuar jetën e heroit shqiptar kanë hedhur hipoteza të ndryshme për vdekjen e tij. Mendoj se vdekja e tij ka diçka misteriote në vetëvete. Dihet se ai pati shumë armiq deri në fund, jo vetëm osmanë. Festa e Shën Gjergjit apo festa e Shingjergjit ishte festa më popullore deri vonë. Nëse e shikojmë sesi arbëreshët në Itali e nderojnė Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, nuk e ke vështirë të kesh një ide për nderimin që ekzistonte në popullin shqiptar atëherë për të. Vetëm se arbërësht u larguan relativisht herët nga Arbëria dhe nuk mundën ta merrnin me vete këtë traditë që u krijua ngadalë, ndoshta pas vdekjes së kryeheroit. Supozoj se kjo festë duhet të ketë një lidhje të drejtëpërdrejtë me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, sidomos kur mallëngjimi popullor mori përmasa dramatike pas vdekjes së tij. Çdo popull që e nderon udhëheqësinë e tij, mundohet që nderimin e tij ta lidh disi me ditën kur lindi ai. Shën Gjergji si shenjëtor iu jepte njerëzve një mundësi të jashtëzakontë. Festa fetare në këtë rast lidhej me një njeri atë gëzonte nderimin e një shenjëtori që i mbronte njerëzit nga të ligat e mëdha në jetë. Pikërisht këtë gjë e kishte bërë për shqiptarët Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Turqit punuan në mënyra të ndryshme që këto aspekte të festës të errësoheshin e të harroheshin. Dhe, ia dolën mbanë me armë e dredhi. Tëhuajsimi ishte njė mjet shumë efektiv. Një diamant që nuk vlerëdësohet, nuk ruhet me xhelozi. Kam përshtypje se e njëjta gjë ndodhi edhe me festën e datëlindjes së Gjergj Kastriotit—Skenderbeut. Kështu u krijuan parakushtet e mërgimit të saj nga një popull te një popull tjetër. kështu Shingjergji u kthye në festën kryesore të romëve. Gazetarët tanë nuk kanë shkruar pothuajse asgjë për këtë festë ndër romët që jetojnë në Kosovë. Ndriçimi i rrethanave historike dhe i fundajës së saj sociale ndoshta do të na çonte më afër të vërtetës. Një studim i mirëfilltë për këtë festë do të duhej bërë nga shkencëtaret e rinj kosovarë të shkencave të ndryshme shoqërore. Ky brez ka mundësi më të mëdhe jo vetëm metodologjike e teknologjike për studime të tilla. Mendoj se nuk është kurrë vonë për gjëra të mëdha. Unë këtu vetėm sa po persiat për aspektin sociologjik e politik të kësaj feste. Mendimi im është se në rrjedhën e kohës ndër shqiptarë u harrua se përse në të vërtetë festohej kjo festë. Shumë mbeten në kujtesën kolektive të një popull, mirëpo nuk njihet shkaku i vërtetë i tyre. Te ne si popull dita e martë konsiderohet si një ditë e mbrapshtë, por pak njerëz e dinë se rënia e Konstantinopolit ndodhi në një ditë të marte dhe njerëzit kështu e lidhën këtë ditë me një mbrapshti të madhe. Mendimi im është se përmes festës së Shën Gjergjit nderohej kryeheroi ynë. Mendoj se kisha ortodokse s‘ishte shumë e interesuar që përmes kujtimit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut t‘u kujtojë besimtarëve të saj shqiptarë se dikur kishin pasur një njeri të madh të gjenit të tyre, kurse myslimanët shqiptarë me largimin nga feja ortodokse nuk kishin interesim fetar për ta njohur fundajën fetare e politike të festimit të kësaj feste. Pastaj si myslimanë të sapokonvertuar ata ishin të dyshimtë dhe ishin në vazhdimësi në kontakt me trushpëlarjen propagandistike turke kundër Gjergj Kastriotit—Skenderbeut. Pastaj si masë e besimtarëve pa elitën e saj kombëtare nuk ishte e aftë për ta zbërthyer strategjinë jashtëzakonisht larghedhëse turke. Mendoj se këtë gjë s’e kuptonin edhe një pjesë e madhe e propagandistëve. Ndoshta brezi i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut dhe disa breza më vonë e dinin arsyen e kësaj feste, por, së paku, kur filloi islamizimi masiv, disa shekuj pas vdekjes së kryeheroit, dhe për shkak se Kisha Ortodokse nuk ua kujtonte besimtarëve të saj historinë e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut kinse për arsye fetare, ky informacion ngadalëdalë u zbeh dhe në fund u shua krejtësisht. Kështu, erdhi një ditë që njerëzit e festonin festën, pa e ditur saktësisht përse, pa i njohur rrethanat historike të lindjes së saj. S’ka popull tjetër ballkanik që e feston në këtë mënyrë si ne Shingjergjin. Kur e kujtojmë faktin se në rrethinën tonë ballkanike nuk kanë munguar popujt ortodoks, atëherë ky festim i veçantë nuk mund të jetë i rastësishëm. Osmanët duhet të kenë njohur shumë mirë etnipsikologjinë tonë dhe duhet tė kenë qenë shumë aktivë në krijimin e kushteve të tilla sociale që festa të mërgojë te romët. Njihet racizmi kundërrom në Kosovë e nė Shqipëri. Kjo tërrethanė etnopsikologjike duhet të jetë shfrytezuar me mjeshtri prej turqëve për tëhuajsimin tonë prej festës. Turqit kanë ditur të jenë shumë subtil e perfid në këto gjëra. Romët si popull gazmor duhet ta kenë festuar fillimisht bashkë me shqiptarët këtë festë fetare dhe me njëfarë mënyre edhe kombëtare, të cilën pastaj e kanë kthyer ngadalë, vit pas viti, në njė festë të tyren të stinës së pranverës, por në rrjedhën e shekujve duhet të kenë regjistruar faktin se po mbeteshin të vetmit që kishin një motiv të veçantë pse e festonin. Në maj pranvera është gjithkund e pranishme. Shqiptarët shkallë-shkallë u bënë muslimanë të mirë dhe kështu hoqën dorë nga tradita e tyre kulturore, tradita këto që e trazonin shpirtin e tyre kryengritës. Ata nisën ta duan jetën e qetë dhe luksin dhe kështu e harruan epokën e lavdishme të kryetrimit të tyre. Sa më tepër që ikte koha, aq më shumë ata tëhuajsoheshin nga kultura e tyre. Dhe, ç‘është e vërteta, ishte një traditë dhe kulturë e rrezikshme. Ismail Kadareja te romani „Kamarja e turpit“ tregon sesi Perandoria Osmane i asimilionte popoujt. Harresa ishte elementi kryesor i strategjisë turke. Sot e dimë se truni e ka aftësinë e neuroplasticitetit. Neuroplasticitet do të thotë të harrosh diçka të vjetër për t’i bërë në tru diçkaje të re. Në fakt asnjë popull nuk mund ta asimilosh pa ia shuar interesin për historinë e tij. Jorastësisht rilindja e popujve është e lidhur me romantizimin e të kaluarës së tyre. Edhe kulti i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut nuk u kultivua rastësishtnga Rilindja e jonë Kombëtare. Aleksandri i Madh, Pirroja dhe Aristoteli ishin tepër larg në kohë, për t’ua kthyer krenarinë kombëtare shqiptarëve në praktikën jetësore. Sot ne e dimë me fakte të pakundërshtueshme se Aleksandri i Madh apo Leka si themi ne, Pirroja dhe filozofi më i madh i antikës, Aristoteli, s’ishin etnikisht grekë, por që ata të lidheshin me Shqipërinë si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu ishte pothuajse e pamundshme. Festa e Shëngjergjit ishte për brezat e mëhershëm deri vonë në shekullin XX një realitet kulturor i rëndësishėm. Duke qenë popull pa kishë e shkollë tė veten, ne nuk kemi qenë në gjendje ta zbërthejmë si duhet faktografinë sociokulturore, kështu që jemi varur krejtësisht nga të huajtë që e kanë studiuar kulturën tonë. Pastaj trysnia akulturuese e popujve fqinjë ballkanikë ishte jashtëzakisht e madhe. Shkencëtarë europianë, pa asnjë dyshim, kanë dhënë njė kontribut të madh, por shumë mistere të traditës sonë s‘kanë mundur t‘i zbërthejnë. Unë shpresoj se hulumtuesit e arkivave osmane, mund të gjejnë ende ndonjë gjurmë për ti kthyer këto hipoteza shkencore për këtë festë në teza të gjithëpranuara nga bota akademike.
Duke u kthyer tek heroi i këtij shkrimi Luan Haradinaj, them se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meritojnë pa asnjë përjashtim nderimin tonë më të madh të mundshëm, por ata që bënin pjesë në grupet e para guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një kohë kur nuk dihej se cili do të ishte epilogu i këtij aksioni të rëndësishëm kombëtar meritojnë një nderim tjetër, një nderim të veçantë.
Luan Haradinaj me rënien e tij e dëshmon përcaktimin e tij të palëkundshëm për çlirimin e Kosovës. Fakti që brezi i sotëm ka idetë për të cilat flet analisti i cituar kroat tregon se nuk është bërë sa duhet për informimin e këtij brezi, sepse e keqja luftohet gjithmonë efektivisht vetëm me të vërtetën. Ne nuk duhet të presim nga të tjerët të na e kujtojnë të kaluarën tonë, sepse vetëm ne kemi një lidhje inteinzike me të. Një shkrimtar izraelit, Amos Ozi, thotë se njeriu shkruan mirë vetëm për atë që e njeh. Ne, duke qenë se i njohim mirë ata që u flijuan për ne, mund të shkruajmë mirë, dmth. saktë e me përgjegjësi etike për ketë periudhë të hershme të luftës sonë. Vetë fakti që luftës sonë iu bashkua aleanca më e madhe ushtarake që ka njohur njerëzimi, flet shumë për luftën tonë.
Asnjë luftë çlirimtare nuk fitohet pa një mbështetje të madhe nga jashtë, dmth. pa një politikë të drejtë. Një luftë e humbur politikisht, kurrë nuk fitohet në fushëbetejë, d.m.th ushtarakisht.