Lufta atdhetare e Kroacisë
Shkruan: Musa Gashi
Si pjesë e delegacionit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur së fundi pata mundësi të jem pjesë e një vizite në Vukovar.
Edhe pse kisha pak informacion, rrugës hulumtova e lexova më shumë për luftën atdhetare të kroatëve dhe për Vukovarin.
Pas zgjedhjeve demokratike te zhvilluara në vitin 1990 dhe rritjes se aspiratave për vetëvendosje Kroacia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia me 25 qershor 1991. Në atë kohë Jugosllavia ishte në një krizë të thellë politike e ekonomike, me tensione etnike të përshkallëzuar.
Edhe pse fillimisht hezituan ta njihnin, më pas në janar 1992 Kroacia u njoh ndërkombëtarisht si shtet i pavarur.
Në atë kohë Kroacia kishte rreth 5 milion banorë, ndërsa rreth 12% (afërsisht 600 mijë) ishin serbë, të cilët nuk pranuan të ndaheshin nga Jugosllavia. Dhe si rezultat aty pati luftë.
Luftimet filluan në verën e vitit 1991. Serbët lokal dhe njësitë paramilitare të përkrahur nga Beogradi e të mbështetur nga armatimi i rëndë i Ushtrisë Jugosllave, pushtuan rreth 1/3 e territorit kroat dhe shpallën Republikën Serbe të Krajinës me Kninin si kryeqendër.
Kroatët fillimisht kishin mungesë armatimi, por ndërkohë arritën të organizohen në Gardën Kombëtare dhe Ushtrinë Kroate. Kroacia arriti të siguroj aleatë si Gjermaninë e SHBA-në, dhe më vonë mori edhe ndihma ushtarake si në trajnime dhe furnizime.
Lufta zgjati deri ne vitin 1995. Në këtë kohë kur po zhvilloheshin luftime të përgjakshme ne Bosnje, kroatët të forcuar ushtarakisht dhe me përkrahjen e aleatëve për katër ditë (4-7 gusht 1995) rimorën territorin e pushtuar nga serbët me operacionin ‘Olluja’.
Kjo rezultoi me zhvendosjen e rreth 200 mije serbëve dhe shumë prej tyre në atë kohë Serbia i solli në Kosovë (Izbeglicat).
Olluja ndodhi vetëm disa muaj para Dejtonit, kur bashkësia ndërkombëtare më në fund kishte vendosur të ndalte luftën në Bosnje.
‘Olluja’ nuk përfshiu Sllavoninë Lindore (territorin në kufi me Serbinë si Vukovarin dhe Osijekun me rrethinë).
Ky territor iu rikthye shtetit kroat paqësisht me Marrëveshjen e Erdut-it ne vitin 1998, duke shënuar kështu rivendosjen e sovranitetit te plote të shtetit kroat.
Dhe kjo ndodhi në kohën kur po zhvilloheshin luftime te ashpra në Kosovë.
Kroacia në luftën e saj atdhetare kishte rreth 22 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur. Ndërsa në luftë morën pjesë rreth 500 mijë luftëtarë, ku ishin edhe rreth 4 mijë shqiptarë.
Sot Kroacia ka rreth 4 milion banorë, ndërsa serbët përbëjnë rreth 4% të popullsisë.
Pas lufte ICTY ne Hage ngriti akuza për disa nga figurat politike e ushtarake serbe e kroate për rolin e tyre ne lufte. Oficere të Ushtrisë Jugosllave u dënuan për masakrën ne Ovçara. Te gjykuar ishin edhe gjeneralët kryesor te luftës kroate, si Ante Gotovina, Mirko Markaç, Rrahim Ademi etj, me akuzën për ‘ndërmarrje të organizuar kriminale’, dhe fillimisht Gjenerali Gotovina ishte dënuar, por më pas u liruar në Apel.
Vukovari është vendi me më së shumti viktima në luftën atdhetare të Kroacisë me shumicën e shtëpive të bombarduara e shkatërruara, me shume të vrarë e të zhdukur.
Para lufte Vukovari ishte një qytet multietnik me rreth 45 mije banore, me përqindje pothuajse të barabartë të kroatëve dhe serbëve, dhe ku jetonin edhe shume hungareze etj, ndërsa sot ka përgjysmë banore me pak krahasuar me vitin 1991.
Kur filloi lufta, Vukovari u rrethua nga serbët me mbështetjen e Ushtrisë Jugosllave dhe u bombardua çdo ditë. Pothuajse 90% e shtëpive u shkatërruan.
Pas tre muajsh rezistence te pabarabarte te kroateve, Vukovari ra me 18 nëntor 1991.
Pas pushtimit aty ndodhen krime te renda kundër civileve dhe te burgosurve kroatë, me mbi 3 mije te vrarë, me rreth 25 mije kroatë të dëbuar dhe rreth 2 mijë persona të zhdukur dhe mijëra të rrahur e torturuar, si dhe të burgosur që u dërguan në Serbi
Masakra e Ovçarës është masakra më e tmerrshme. Me 20 nëntor 1991 rreth 260 të plagosur, personel mjekësor dhe mbrojtës kroatë u nxorën dhunshëm nga spitali në Vukovar dhe u dërguan në Fermën Ovçara, ku u rrahën brutalisht dhe më pas u ekzekutuan. Trupat u fshehën në një varreze masive në afërsi.
Pas lufte janë zbuluar me shume se 20 varreza masive dhe indiduale ne rajonin e Vukovarit. Ndërsa ende ka me dhjetëra persona te zhdukur.
Çdo vit me 18 nëntor ne Vukovar shënohet ‘Dita e Përkujtimit të Viktimave të Luftës Atdhetare dhe Betejes se Vukovarit’, ne përkujtim te viktimave te rrethimit. Mijëra njerëz marrin pjese ne ‘Kolonën e Kujtesës’, një marsh përkujtimor nga Spitali i Vukovarit deri te Memoriali ne Ovçara.
Sot Spitali i Vukovarit eshte kthyer ne muze Përkujtimor, ndërsa Ovçara është shndërruar në Shtëpi Përkujtimore
Vukovari sot është vendi i përkujtimit të luftës atdhetare dhe krenarisë kombëtare Kroate. Në Qendrën Memoriale shkojnë çdo dite autobusë te mbushur me nxënës të shkollave fillore e të mesme nga e gjithë Kroacia e më gjerë dhe qëndrojnë aty 1 ose 2 ditë. Atyre u tregohet heroizmi i luftës se baballarëve te tyre dhe kështu ata rriten krenar për atë që kanë trashëgimi.



