Lufta e fshehtë kundër Bashkimit Sovjetik

18 shtator 08:37

Si ndodhi “Malta” dhe si Xhorxh Bushi, i vjetri, e përfitoi zemrën e Gorbaçovit dhe ai në shenjë miqësie lansoi Glasnostin. Si u mund komunizmi? Si ra Muri i Berlinit? Si u shpërbë Pakti i Varshavës?

Përgatiti: Agron Shala (shkrim i publikuar për herë të parë në vitin 2002, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)

Sinqeriteti i Gorbaçovit dhe kolapsi i komunizmit

Drama e fundit e madhe e Luftës së Ftohtë – kolapsi i komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore dhe fundi i konfliktit katër-dekadësh Lindje-Perëndim – shtjellohet në tri akte në mes të viteve 1989 dhe 1991. Në të njëjtën kohë kur tregimi fillon, lideri sovjetik Mihail Gorbaçov kishte bërë hapjen më të madhe ndaj botës së jashtme në historinë e Rusisë. Për ta bindur Perëndimin, sidomos administratën në Uashington për sinqeritetin e tij, Gorbaçovi kishte bërë koncesione të mëdha në kontrollin e armëve, tërheqjen e trupave sovjetike nga Afganistani, premtimet për zvogëlimin e forcave tokësore ruse për gjysmë milioni dhe përjashtimin e luftës klasore në favor të “vlerave pan-humaniste” si bazë e politikës së jashtme sovjetike. Fillimisht skeptik, për shkak të pakënaqësive të kaluara në uljen e tensioneve, presidenti Xhorxh Bush dhe ekipi i tij i politikës së jashtme gradualisht bindën veten se Gorbaçovi ishte i gatshëm për dialog dhe kompromis. Sidoqoftë, ata caktuan çmim të lartë për kooperim, dhe ishin mjaftë të befasuar kur kuptuan se sovjetikët janë të gatshëm ta paguajnë atë.

Akti i dytë i dramës fillon në vjeshtën e vitit 1989, me revolucionin paqësor në Evropën Lindore dhe Qendrore (përveç Rumanisë) dhe rënien e “perandorisë periferike” sovjetike. Kolapsi, de fakto, i Paktit të Varshavës (ajo formalisht do ta shpërbëj veten një vit më vonë) si dhe marrëveshja e re që kryesisht zvogëlonte superioritetin sovjetik në forcat konvencionale në Evropë, rezultoi në aleancën më të fortë Perëndimore – aq të fortë sa që ShBA-të mund të rizbarkonin forcat nga Evropa në Gjirin Persik për t’i përdorur kundër Irakut. Gjermania lindore, shpërblimi më i madh i BRSS-së nga Lufta e Dytë Botërore, është bashkuar me Gjermaninë Perëndimore dhe integruar në NATO.

Akti i tretë dhe final u mbyll me shkatërrimin e vitit 1991 të BRSS-së. Forcat centrifugale në “perandorinë periferike” nxitën dhe përshpejtuan ato në “perandorinë e brendshme”, atëherë kur republikat sovjetike kërkuan sovranitetin e pastaj pavarësinë nga Moska. Në të njëjtën kohë, reformat e brendshme të Gorbaçovit hasën në vështirësi serioze, andaj ekonomia pësoi dështim. Lufta e Gorbaçovit me elitën e vjetër perandorake në partinë komuniste, forcat e armatosura, dhe kompleksin ushtarako-industrial, arriti kulmin me grushtshtetin e gushtit të vitit 1991, i cili, kur dështoi, e mbaroi BRSS-në – dhe vetë Gorbaçovin. Në Krishtlindjen e vitit 1991, në orën 7 e 35 pasdite, flamuri sovjetik që valonte mbi Kremlin është ulur dhe zëvendësuar nga banderola ruse. BRSS zyrtarisht u ndal së ekzistuari më 31 dhjetor. Lufta e Ftohtë përfundoi.

Vlerësimet e shërbimeve nacionale të spiunimit dhe llogaritjet e shërbimeve tjera, të rishtypura më poshtë, zbulojnë publikisht për herë të parë faktin se si komuniteti amerikan i shërbimeve të spiunimit interpretonte dhe parashikonte shtjellimin e përshpejtuar të ngjarjeve që shpien deri te kolapsi i komunizmit dhe fundi i Luftës së Ftohtë. Shërbimi i administratës së Bushit për politikën e jashtme amerikane përkonte me disa nga ndryshimet më të rëndësishme të shekullit XX. Në një interval të shkurtë kohor, e jashtëzakonshmja u bë pothuaj ngjarje e ditës. Vlerësimet që duken të parakohshme, pesimiste apo alarmante, ndodhte që shpesh të jenë gjithashtu edhe konservatore në parashikimet e tyre përbrenda gjashtë muajve apo një viti. Disa ngjarje kyçe, si pranimi i heshtur sovjetik i bashkimit gjerman në NATO, kanë ndodhur aq shpejt dhe papritmas sa që nuk duken në asnjërin prej vlerësimeve. Vlerësimet, në fakt, shpesh me saktësi parashikonin ngjarjen apo zhvillimin, por gjykojnë gabimisht kohën e nevojshme që ajo të materializohet – një shenjë e përshpejtimit të historisë në këtë periudhë.

Lexuesit e vlerësimeve që vijojnë, mund t’i marrin termet e diskutimit si të njohura, pasi që ato ngjajnë me diskutimet e kohës në shtyp dhe analiza. Sidoqoftë, ata mund të jenë të befasuar kur zbulojnë se komuniteti i shërbimeve të spiunimit fillimisht kishte qëndrime pesimiste lidhur me gjasat e Gorbaçovit për reformimin e suksesshëm të sistemit sovjetik, kur kjo nuk ishte pikëpamje e përkrahur brenda apo jashtë qeverisë. Vlerësimet, po ashtu, parashikojnë shpërthimin e pashmangshëm të sistemit sovjetik, si dhe parashihnin disa nga problemet për stabilitetin e brendshëm regjional dhe ndërkombëtar, të cilin kolapsi i fuqisë sovjetike do të mund ta shkaktonte. Fatmirësisht, parashikimet e tmerrshme për përhapjen e urisë dhe të luftës civile u treguan të gabuara. Ndonëse disa lexues mund të jenë të njohur me vlerësimet që përshkruajnë çështjet politike dhe ekonomike për kolapsin e komunizmit dhe fundin e Luftës së Ftohtë, ata do t’i konsiderojnë vlerësimet mbi çështjet strategjiko-ushtarake si ekskluzive. Vlerësimet dhe memorandumet e shërbimeve të spiunimit për forcën ushtarake të Paktit të Varshavës – sidomos seritë NIE 11-3/8 për Forcat sovjetike dhe mundësitë për një konflikt strategjik nuklear, bibla e projektuesve amerikanë për armatimin strategjik nuklear sovjetik, e menaxherëve të programeve të armatimit dhe specialistëve të kontrollit të armëve – paraqesin fakte dhe interpretime që ishin një ndër sekretet më të sistematizuara të komunitetit të shërbimeve të spiunimit. Përderisa këto vlerësime ndihmuan ShBA-të që të mbajnë në këmbë mbrojtjen, ato po për bërësit e politikës amerikane bën të mundshëm angazhimin e Bashkimit Sovjetik në bisedimet mbi armatimin konvencional dhe strategjik që shpien te fundi i garës së armëve, madje para se të mbaronte Lufta e Ftohtë.

Rruga për në Maltë

Presidenti Xhorxh Bush (i vjetri) mori postin në janar të vitit 1989, i përcaktuar që ta vë vulën e vet në politikën e jashtme amerikane dhe t’i bëjë fokus kryesor të tij marrëdhëniet ShBA-BRSS. Ai planifikonte të mbështetej në trashëgiminë e paraardhësve të tij, pa rekapituluar politikën e Ronald Reganit. Më 15 shkurt të vitit 1989, presidenti urdhëroi rishikimin e politikës së ShBA-se ndaj BRSS-së dhe Evropës Lindore gjë e cila, për shumë shkaqe politike dhe burokratike, mori kohë dhe u tregua më e komplikuar sesa që pritej. Në diskutimet prapa perdeve, ekipi i ri i politikës së jashtme u nda shpejt në ata që donin të hapnin dialogun e menjëhershëm me Gorbaçovin dhe në ata që kishin pikëpamje skeptike për liderin sovjetik të stilit të ri. Sfida e parë sovjetike për administratën e Bushit u shfaq madje para inaugurimit të presidentit. Për të ndryshuar kursin e politikës së jashtme, të trashëguar nga paraardhësit e tij, dhe për të zbutur tensionet që janë akumuluar në marrëdhëniet amerikano-sovjetike në vitet 1970 dhe 1980, më 1987 Gorbaçovi nënshkroi Marrëveshjen amerikano-sovjetike për eliminimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi (INF), zvogëlimin e parë të armëve nukleare (në fakt shkatërrimin e armëve) të arritur në histori. Pastaj, më 1988, ai tha se qëllimi i tij është që t’i tërheq trupat sovjetike nga Afganistani brenda një viti. Gjatë drejtimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 1988, Gorbaçovi shkoi tutje, duke dhënë fjalimin më të rëndësishëm për politikën e jashtme në karrierën e tij. Ai nuk pranoi luftën e klasave si bazë të politikës së jashtme sovjetike, përqafoi “vlerat pan-humaniste” dhe “ndërvarësinë globale”, si dhe premtoi se do të shndërrojë “ekonominë e armatimit në ekonominë e çarmatimit”. Ai i ftoi ShBA-të që të kooperojnë për përfundimin e Luftës së Ftohtë, duke ndërprerë garën e armëve dhe duke kërkuar qetësimin e konflikteve regjionale. Pastaj, bëri koncesione dramatike unilateriale, duke premtuar zvogëlimin e trupave tokësore sovjetike për 500 000 dhe tërheqjen e 50 000 trupave nga Evropa Lindore, përveç 10 000 tankeve, 8 500 sistemeve artilerike, dhe 800 aeroplanëve luftarakë, brenda një periudhe dyvjeçare. Ky fjalim kishte efekt mahnitës në Evropën Perëndimore – dhe jo vetëm atje. New Yourk Times, natyrisht duke shfaqur rezerva, kishte shkruar: Ndoshta që prej kohës kur Vudrov Uilson paraqiti katërmbëdhjetë pikat e tij më 1918 apo prej se Frenklin Ruzveltit dhe Uinston Çurçilit shpallën Kartën e Atlantikut më 1941, nuk kishte figurë tjetër botërore që do të demonstronte vizionin e Mihail Gorbaçovit, të paraqitur dje në Kombet e Bashkuara.

Çështja që kishte të bënte me qëllimet Gorbaçovit nxiti diskutime politike në Shtëpinë e Bardhë dhe në komunitetin amerikan të shërbimeve të spiunimit. Skeptiku më i madh ishte këshilltari për siguri nacionale, veterani i Shtëpisë së Bardhë me sfond të gjerë në çështjet sovjetike – Brent Skoukroft. Skepticizmi i tij ishte rrënjosur në eksperiencën e viteve 1970 dhe 1980, kur euforia fillestare e Amerikës lidhur me uljen e tensioneve u thartua, duke shpirë në fund të dekadës në rilindjen e Luftës së Ftohtë. Skoukroft brengosej nëse BRSS do të detyrojë ShBA-në që të çarmatosej, duke lënë strukturat e veta ushtarake të paprekura. “Isha i dyshimtë në motivet e Gorbaçovit dhe skeptik ndaj vizioneve të tij”, shkruante Skoukroft. Megjithatë, shumë prej planeve të administratës “bazoheshin në Gorbaçovin”, në qëllimet e tij, në politikën e tij të brendshme dhe të jashtme: Thjesht, mendoja se qëllimi i Gorbaçovit ishte që të rikthente dinamikën në sistemin socialist politik dhe ekonomik dhe rivitalizimin e Bashkimit Sovjetik kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, që të hyjë në konkurrencë me Perëndimin. Për mua, sidomos para vitit 1990, kjo e bënte Gorbaçovin potencialisht më të rrezikshëm sesa paraardhësit e tij, secili nga të cilët, përmes disa lëvizjeve agresive, kanë mbrojtur Perëndimin nga rreziku i të menduarit të tyre, të dëshiruar për Bashkimin Sovjetik, para se të bëhej shumë vonë.

Skoukroft nuk ishte skeptiku i vetëm në ekipin e politikës së jashtme të Bushit. Sekretari i Shtetit, Xhejms A. Bejker III, ndiente se “strategjia e Gorbaçovit, besoj unë, është baza e përçarjes së aleancës dhe dëmtimit tonë në Evropën Perëndimore”.

Fjalimi i Gorbaçovit në OKB e zuri ShBA-në të papërgatitur. Në fund të vitit 1988, Daglas Mekikin, shefi i analizave sovjetike në CIA, i tha Kongresit haptas se, përkundër iniciativave të Gorbaçovit në politikën e brendshme dhe të jashtme, CIA “asnjëherë nuk e ka konsideruar Bashkimin Sovjetik si një entitet politik në të cilin ka faktorë ndërtues që mund të shpijnë së paku në inicimin e transformimeve politike, të cilat ne i shohim sot (në kohën e tashme)”. Ai shtoi: Gjithashtu, po të ekzistonte (një studim i tillë) brenda qeverisë, ne sinqerisht kurrë nuk do të ishim në gjendje që ta publikojmë atë. Dhe, sikur ta bënim këtë, njerëzit do të kërkonin kokën time. Andaj, unë nuk do ta publikoja. Thjesht, po të thoshim një javë më parë se Gorbaçovi mund të vijë në OKB (dhjetor 1988) që të ofronte prerjen e njëanshme prej 500 000 vetave në ushtri, do të na merrnin për të çmendur.

Dy vlerësimet e shërbimeve të spiunimit, që të dyja të shkruara nyë fund të vitit 1988, japin fotografitë “para” dhe “pas” të të menduarit të Komunitetit. SNIE 11-16-88, Politika sovjetike gjatë fazës së ardhshme të kontrollit të armëve në Evropë, nëntor 1988 (dokumenti 12), i cili u prezantua në prag të fjalimit të Gorbaçovit, konkludon se Kremlini ka motive thelbësore politike, ushtarake dhe ekonomike, për t’u angazhuar në bisedimet për zvogëlimin e forcave konvencionale; por ajo po ashtu vërejti se Moska mund të preferojë zvogëlimin “reciprok” në mënyrë që ta ruajë avantazhin numerik të Paktit të Varshavës. Marrëveshja e pranueshme për BRSS-në “mund të zgjaste me vite – dhe madje të mos ishte e mundshme”.

Vlerësimi i dytë, i prezantuar pas fjalimit të Gorbaçovit në OKB, ishte më i qëndrueshëm në vizionet për marrëveshjet e favorshme me BRSS-në. NIE 11-23-88, Programi ekonomik i Gorbaçovit: Sfidat e ardhshme, dhjetor 1988 (Dokumenti 1), merrej kryesisht me reformat e brendshme ekonomike, të cilat, siç konkludonte ajo, nuk po funksiononin dhe pothuaj mund të dështojnë në përmirësimin e tregut për pesë vjetët e ardhshme. Edhe kjo doli se është shumë optimiste. Ky ishte vlerësimi i parë që nënvizoi ndërlidhjet në mes të dobësive të brendshme të BRSS-së dhe fytyrës së re të politikës së saj të jashtme. Ajo thoshte se “Gorbaçovi ka nevojë për më shumë përfitime nga ambienti jokonfliktuoz ndërkombëtar”, duke shtuar se: Kjo do t’ju jepte SHBA-ve dhe aleatëve të saj përparësi në pazarin me sovjetët për çështjet si konflikti regjional dhe kontrolli i armëve dhe të disa problemeve të brendshme si të drejtat e njeriut dhe këmbimi i informatave. Kufijtë e kësaj përpjekjeje do të varen nga përcaktimi i Moskës për të ndaluar Perëndimin që të ndikojë në natyrën fondamentale të sistemit sovjetik apo statusin e saj të superfuqisë.

Sidoqoftë, NIE 11-23-88 ishte ende i matur, duke e përshkruar dobësinë sovjetike si shans për Perëndimin që të arrijë epërsi margjinale në pazar – të mos përfundonte Luftën e Ftohtë dhe garën e armëve.

Gjithashtu, gjatë pranverës së vitit 1989, ishin disa “mendime të reja” në politikën dhe debatet e shërbimeve të spiunimit. Pikëpamjet divergjente janë reflektuar në NIE 11-4-89, Politika sovjetike ndaj Perëndimit: Sfida Gorbaqov (Dokumenti 13), i cili u prezantua në prill, atëherë kur administrata përfundonte rishqyrtimin e politikës. Vlerësimi përfshinte pjesë jo të zakonshme të klasifikuara si “mosmarrëveshjet”, më tepër në tekstin kryesor sesa në fusnota: Është një pajtim i përgjithshëm në Komunitetin e shërbimeve sekrete, përkitazi me perspektivat për pesë deri shtatë vjetët e ardhshme (p. sh. se ShBA mund të arrijnë një marrëveshje të kënaqshme me BRSS-në), por pikëpamjet ndryshonin në parashikimet afatgjata për ndryshimet rrënjësore dhe të qëndrueshme:

– Disa analistë i shohin ndryshimet politike si kryesisht taktike, të drejtuara nga nevoja për një pushim të shkurtër nga gara. Ata mendojnë se baza ideologjike e marksist-leninizmit dhe armiqësitë e saja ndaj shteteve kapitaliste janë ende të forta. Ata përmendin dështimet e mëhershme të reformave dhe të natyrës së përkohshme të “uljeve” të kaluara “tensionit”. Ata pohojnë se paraqet rrezik serioz për Moskën kthimi te sjelljet tradicionale luftarake, kur po realizohen shpresat për të shtim në rendimentin ekonomik.

– Analistët tjerë mendojnë se politikat e Gorbaçovit pasqyrojnë rimendimin fundamental të interesave dhe të ideologjisë, si vlerësim taktik. Ata pohojnë se po shqyrtohen doktrinat ideologjike të marksist-leninizmit, si konflikti i klasave dhe urrejtja kapitalisto-socialiste. Ata vlerësojnë se tërheqja nga Afganistani dhe ndryshimet drejt tolerancës për ndarjen e pushtetit në Evropën Lindore, janë ndryshime historike në definimin sovjetik të interesave nacionale. Ata mendojnë se ndryshimet e Gorbaçovit ka gjasa të kenë një moment të mjaftueshëm për të gjeneruar ndryshimet përfundimtar në sjelljet sovjetike. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukrainas që jetojnë në Stamboll të Turqisë dje kanë protestuar.…