
Lufta e UÇK-së dhe identiteti evropian i Kosovës
Homazh për dëshmorët Gursel dhe Bajram Sylejmani
Prof. Dr. Sylë UKSHINI
Konteksti politik dhe domosdoshmëria e rezistencës
Përkujtimi i figurave të Gursel dhe Bajram Sylejmanit nuk është thjesht një akt memorial, por një ndërhyrje e domosdoshme në diskursin historik mbi luftën çlirimtare të Kosovës, e cila me kohë u bë pjesë e vlerave dhe e emancipimit evropian. Çdo shtator, homazhet për dëshmorët e lirisë shndërrohen në një moment reflektimi mbi sakrificën e tyre dhe mbi kthesën që ata ndikuna në rrjedhën e ngjarjeve, duke e vendosur Kosovën në trajektoren e emancipimit politik evropian. Së bashku me figurat e tjera të UÇK-së – si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Agim Ramadani e të tjerë – ata përfaqësojnë arkitekturën morale dhe filozofike të një lëvizjeje që refuzoi nënshtrimin ndaj pushtimit serb dhe që shndërroi potencialin e brendshëm kombëtar në forcë vendimtare për ndryshime politike dhe për përfshirje të jashtëzakonshme politike dhe ushtarake ndërkombëtare.
Trashëgimia familjare dhe rrënjët patriotike
Familja Sylejmani përfaqëson një nga ato trungje të rralla familjare në historinë e Kosovës, ku atdhetaria dhe përkushtimi ndaj luftës për liri nuk ishin thjesht vlera individuale, por një trashëgimi e kultivuar dhe e transmetuar brez pas brezi. Veprimtaria e Bejtë dhe Mexhit Sylejmanit, e vazhduar më pas nga Hetem Sylejmani, babai i dy dëshmorëve, u mbështet mbi një traditë të gjatë rezistence, e cila ishte e frymëzuar nga figurat emblemë të luftës çlirimtare shqiptare, si patrioti Hysen Terpeza. Kjo traditë nuk prodhoi vetëm qëndresë kundër regjimeve represive serbe, por krijoi një kulturë politike e morale ku sakrifica për kombin shihej si detyrim i pashmangshëm.
Në këtë kuptim, Gurseli dhe Bajram Sylejmani nuk u shfaqën si individë të rastësishëm në rrjedhën e historisë, por si bartës të një vijimësie atdhetarie të ngulitur thellë në ndërgjegjen familjare dhe kolektive. Heroizmi i tyre është i pandashëm nga kjo trashëgimi e gjatë, e cila i përgatiti ata që në moshë të hershme të artikulonin aspiratat kombëtare në një kontekst politik gjithnjë e më represiv.
Për më tepër, rrënjët patriotike të familjes Sylejmani krijuan një lloj “kapitali moral” që u shndërrua në burim frymëzimi për gjeneratën e viteve ’80 dhe ’90, kur rezistenca e shqiptarëve të Kosovës mori dimensione të reja – nga demonstratat e vitit 1981 deri te organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky kapital moral i mishëruar në figurat e Gurselit dhe Bajramit dëshmon se liria e Kosovës nuk u ndërtua mbi individë të shkëputur, por mbi një traditë të tërë rezistence familjare, shoqërore dhe kombëtare.
Demonstratat e vitit 1981 dhe kalvari në burgjet jugosllave
Demonstratat e pranverës së vitit 1981, në të cilat për heër të parë u afishua zëshëm kërkesa për republikën e Kosovës, shënuan një moment të rëndësishëm në historinë e rezistencës shqiptare në Kosovë dhe i gjetën Gursel e Bajram Sylejmanin të angazhuar që në moshë të re. Gurseli, atëkohë student i Akademisë së Artit në Shkup, dhe Bajrami, nxënës i shkollës së mesme, morën pjesë aktive në protestat dhe në organizimet ilegale, duke u përballur drejtpërdrejt me represionin sistematik të aparatit shtetëror jugosllav. Përfshirja e tyre në këto lëvizje solli burgosje të njëpasnjëshme në vitet 1982, 1987, 1989 dhe 1992, të cilat, në vend që t’i dekurajonin, e forcuan bindjen e tyre se çështja shqiptare nuk mund të shtyhej përpara pa një rezistencë të organizuar dhe përtej kufijve të politikës joviolente.
Në të njëjtën kohë, një pjesë e elitës politike kosovare u përpoq të ruante një status quo të brishtë dhe të pamundur, duke u rreshtuar shpesh në dënimin e kërkesave për republikë dhe të lëvizjeve studentore. Në këtë kontekst, qëndrimi i vëllezërve Sylejmani dhe i bashkëmendimtarëve të tyre përfaqësonte një kundër-narrativë të qartë ndaj diskursit zyrtar antishqiptar, i cili, paradoksalisht, edhe sot gjen glorifikim të ndërgjegjshëm në diskursin e ish-elitave komuniste.
Ky dualitet politik pati pasoja të drejtpërdrejta strategjike: ai e dobësoi pozitën e Kosovës në federatën jugosllave, kontribuoi në legjitimimin e vetëviktimizimit serb dhe hapi shtegun për avancimin e projektit hegjemonist serb, i cili kulmoi me shfuqizimin e autonomisë së Kosovës në fund të viteve ’80. Në këtë prizëm, demonstratat e vitit 1981 nuk ishin vetëm një shpërthim spontan social, por u shndërruan në një betejë paradigmatike ndërmjet konformizmit institucional dhe vizionit të një gjenerate që kërkonte ta afirmonte subjektivitetin politik të Kosovës.
Shpërbërja e sistemit komunist dhe opsioni i luftës
Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e rendit bipolar krijuan një realitet të ri gjeopolitik në Evropë, ku çështjet e pazgjidhura kombëtare dhe etnike të ish-federatave socialiste dolën në sipërfaqe me intensitet të ri. Kosova, e cila për dekada kishte qenë pjesë e një kompromisi të brishtë brenda strukturës federale jugosllave, pas viteve ’80 hyri në një fazë të re të krizës strukturore. Shfuqizimi i autonomisë me Kushtetutën e Serbisë të vitit 1989 shënoi kthimin e hapur të politikës hegjemoniste serbe dhe inaugurimin e një cikli të ri represioni ndaj shqiptarëve.
Në planin ndërkombëtar, komuniteti euroatlantik ndodhej përballë një dileme të dyfishtë: nga njëra anë, ruajtja e stabilitetit në Ballkan, dhe nga ana tjetër, reagimi ndaj shpërthimit të nacionalizmave të dhunshëm që sollën luftërat në Kroaci dhe Bosnjë. Marrëveshja e Dejtonit (1995), e cila ndali luftën në Bosnjë, solli një paqe të brishtë, por në të njëjtën kohë la Kosovën jashtë tryezës së negociatave, duke e përdorur si element kompromisi për të kënaqur Beogradin. Kjo përjashtim e thelloi defaktorizimin politik të shqiptarëve dhe e përforcoi ndjesinë se politika e rezistencës joviolente, e mishëruar nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, kishte arritur kufijtë e saj.
Ndërkohë, nacionalizmi serb, i artikuluar nga Slobodan Millosheviqi dhe elitat politike të Beogradit, përdorte aparatin shtetëror për të instaluar një regjim represiv në Kosovë: spastrime të ngadalta administrative, pushime masive nga puna, mbyllje të institucioneve arsimore dhe kulturore, si dhe dhunë sistematike ndaj popullsisë civile. Këto zhvillime jo vetëm që e dobësuan perspektivën e një zgjidhjeje politike paqësore, por krijuan terrenin për legjitimimin e një alternative të re – atë të rezistencës së armatosurShpërbërja e sistemit komunist nuk përmirësoi pozitën e shqiptarëve; përkundrazi, ajo u përkeqësua nën ofensivën e nacionalizmit serb. Politikat joviolente të elitave politike dështuan të prodhonin rezultate, duke i hapur rrugë idesë së organizimit ushtarak. Në këtë kontekst, Gursel dhe Bajram Sylejmani mishërojnë brezin e ri politik e shoqëror që shndërroi iluzionet e kompromisit dhe retorikën e pafund të politikës joviolente në një projekt të armatosur për liri. Ky transformim nuk ishte thjesht një zgjedhje taktike, por një domosdoshmëri historike, e cila solli një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si perceptohej çështja e Kosovës në politikën ndërkombëtare. Në këtë kontekst ndërkombëtar, ku Perëndimi hezitonte të ndërhynte direkt dhe ku Serbia shfaqej si fuqi destabilizuese rajonale, dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë shënoi një pikë kthese. UÇK-ja u shfaq jo vetëm si një organizatë ushtarake e lindur nga terreni i represionit, por edhe si një aktor politik që i ofroi popullit shqiptar të Kosovës një vizion të ri të emancipimit – atë të subjektivitetit politik dhe të vetëvendosjes.
Rezistenca e tyre dhe e gjithë brezit që ata përfaqësonin artikuloi një paradigmë të re: nga një popull i trajtuar si “pakicë” brenda kornizës federale jugosllave, shqiptarët e Kosovës u shndërruan në një subjekt politik që kërkonte vetëvendosje dhe sovranitet. Në këtë mënyrë, sakrifica e Gurselit dhe Bajramit, e lidhur organikisht me strategjinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk përfaqësonte vetëm një akt heroizmi individual, por një moment themelor në rishkrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës me botën perëndimore. Qëllimi dhe strategjia e Luftës Çlirimtare të Kosovës nuk ishin thjesht ushtarake, por thellësisht politike dhe diplomatike. Përtej betejave në terren, objektivi i saj madhor ishte fitorja diplomatike, e cila gradualisht u ndërtua përmes krijimit të një aleance strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – fuqia vendimtare që do të ndalonte njëherë e përgjithmonë terrorin shtetëror serb në Ballkan.
Fitorja e parë diplomatike e UÇK-së mund të konsiderohet legjitimimi i saj ndërkombëtar në Konferencën e Rambouillet (shkurt–mars 1999), e cila shënoi momentin kur përfaqësuesit e saj u ulën për herë të parë në një tryezë të madhe diplomatike si palë e barabartë me delegacionin e Beogradit. Në këtë kontekst, përfaqësuesit e UÇK-së kishin barrën kryesore për të artikuluar kërkesat e popullit shqiptar dhe për të pranuar planin e paqes të ndërmjetësuar nga fuqitë e mëdha perëndimore. Ky hap nuk ishte vetëm një akt politik, por një parakusht i domosdoshëm për goditjen ushtarake të Serbisë nga NATO, pasi demonstronte gatishmërinë e shqiptarëve për kompromis dhe paqe, përballë refuzimit kokëfortë të Beogradit.
Në këtë kuadër, dëshmia e ish-zyrtarit amerikan James Rubin është veçanërisht domethënëse. Ai pranoi se fillimisht perceptimi amerikan për UÇK-në ishte negativ. Por, ky perceptim i hershëm ndryshoi thelbësisht pas Rambouillet-it, kur UÇK-ja u pajtua me marrëveshjen dhe demonstroi gatishmëri për ta integruar rezistencën e saj në kornizat e diplomacisë ndërkombëtare. Siç thekson Rubin, ky moment përbënte kthesë vendimtare për legjitimitetin e UÇK-së, duke e shndërruar atë nga një organizatë e parë me dyshim në një partner politik të pranuar ndërkombëtarisht.
Ai thekson gjithashtu se, ndonëse kishte shumë pretendime dhe akuza për krime lufte nga pjesëtarë të UÇK-së, SHBA-ja nuk arriti kurrë të verifikonte këto akuza. Ky fakt shërbeu për të forcuar më tej narrativën se demonizimi i UÇK-së ishte pjesë e një lufte propagandistike dhe se legjitimiteti i saj si lëvizje çlirimtare nuk mund të zhbëhej nga pretendime të paqëndrueshme.
Në analizë kritike, Rambouillet-i nuk duhet parë vetëm si një konferencë e dështuar për paqe, por si momenti kur UÇK-ja fitoi legjitimitet të pakthyeshëm dhe kur strategjia e saj diplomatike, e kombinuar me rezistencën ushtarake, e përgatiti terrenin për ndërhyrjen vendimtare të NATO-s. Në këtë kuptim, fitorja e Kosovës nuk ishte vetëm një rezultat i forcës së armëve, por mbi të gjitha një triumf diplomatik i ndërtuar mbi sakrificën e popullit dhe mbi aftësinë e UÇK-së për t’u bërë faktor i pranueshëm në tryezën ndërkombëtare.
UÇK-ja dhe ndërhyrja ndërkombëtare
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shfaq si faktor vendimtar për ndryshimin e status quo-së politike, duke imponuar një realitet të ri që e bëri të pashmangshme ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Ky transformim nuk ishte thjesht rezultat i forcës ushtarake, por i një procesi politik e shoqëror që e lidhi sakrificën e individëve me emancipimin kolektiv të shqiptarëve të Kosovës. Në këtë kuptim, lufta e UÇK-së është pjesë e trashëgimisë evropiane, sepse ajo mishëroi një ndërthurje të vlerave të rezistencës, dinjitetit dhe të drejtës për vetëvendosje me normat universale të të drejtave të njeriut dhe lirisë.
Megjithatë, ndërhyrja ndërkombëtare nuk u perceptua në mënyrë uniforme. Sipas Mario Vargas Llosa-s, romancier, gazetar, eseist dhe politikan peruan, ndërhyrja e NATO-s, edhe pse e paraqitur si një “luftë e pastër”, kishte pasoja të dyfishta: ajo i dha Millosheviqit mundësinë të shfaqej si një “David i vogël” përballë makinerisë ushtarake më të fuqishme të historisë dhe, në të njëjtën kohë, përshpejtoi represionin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Duke përdorur si pretekst bombardimet e NATO-s, ushtria dhe policia serbe intensifikuan spastrimet etnike, duke dëbuar mbi një milion e gjysmë shqiptarë nga trojet e tyre dhe duke i privuar nga pasuria dhe dokumentet e identitetit. Ky paradoks tregon se ndërhyrja ndërkombëtare, përpara se të sillte mbrojtje të menjëhershme, në fakt ekspozoi popullsinë shqiptare ndaj dhunës më të ashpër.
Figura e Gursel dhe Bajram Sylejmanit e thekson këtë dimension kontradiktor. Gurseli, piktor – mjeshtër i ngjyrave që edhe në kohë lufte i dha artit një dimension politik e estetik – dhe Bajrami, gjeolog që e njihte mirë tokën mbi të cilën luftonte, mishërojnë një dimension të dyfishtë të emancipimit: luftën e armatosur për çlirim dhe ndërtimin e një horizonti kulturor e intelektual që e lidhte Kosovën me Evropën. Rënia e tyre më 28 shtator 1998 në Jezerc, në prag të përshkallëzimit të konfliktit, nuk ishte thjesht akt heroizmi personal, por dëshmi historike se vetëm përmes radikalizimit të rezistencës Kosova mundi të rikthente subjektivitetin politik dhe të ndalonte projektin serb për një “zgjidhje përfundimtare” pa shqiptarë.
Dimensioni krahasues evropian
Në një plan krahasues, rezistenca e UÇK-së lidhet me traditat evropiane të emancipimit demokratik. Ashtu si lëvizja “Solidarnost” në Poloni sfidoi hegjemoninë sovjetike përmes mobilizimit shoqëror, edhe UÇK-ja sfidoi hegjemonizmin serb përmes një forme të armatosur rezistence, më të afërt me përvojën boshnjake të viteve ’90. Ndërsa në Bosnje ndërhyrja ndërkombëtare ndodhi pas gjenocidit të Srebrenicës, në Kosovë ajo u bë e pashmangshme më herët, sepse dhuna e ushtruar mbi civilët, e kombinuar me rezistencën e organizuar të UÇK-së, e bëri të pamundur mbajtjen e status quo-së.
Në këtë kontekst, vlerësimi i Vargas Llosës mbetet i vlefshëm: ndërhyrja e NATO-s nuk e ndali menjëherë dhunën, madje e intensifikoi përkohësisht atë; por pa këtë ndërhyrje, fati i shqiptarëve të Kosovës do të ishte i ngjashëm me tragjedinë boshnjake. Prandaj, ndërhyrja ndërkombëtare, pavarësisht paradokseve të saj, mbetet pjesë e arkitekturës së re të sigurisë evropiane, ku sakrifica e UÇK-së ishte elementi legjitimues.
Në këtë mënyrë, trashëgimia e Gursel dhe Bajram Sylejmanit merr kuptim të shumëfishtë: nga njëra anë, ata mishërojnë përpjekjen e brendshme të shqiptarëve për vetëvendosje; nga ana tjetër, ata lidhen drejtpërdrejt me debatet globale mbi “ndërhyrjen humanitare” dhe përgjegjësinë ndërkombëtare për mbrojtje (Responsibility to Protect – R2P).
Trashëgimia dhe reflektimi kritik
Trashëgimia e Gurselit dhe Bajramit është e dyfishtë: në njërën anë, ajo është pjesë e kujtesës historike që prodhon identitet dhe vetëbesim për brezat e ardhshëm; në anën tjetër, ajo shërben si pikë referimi për analizën kritike të dështimeve të elitave politike, të cilat shpesh kanë tentuar ta relativizojnë ose delegjitimojnë luftën çlirimtare. Nëse UÇK-ja mbetet projekti më madhor i shqiptarëve të Kosovës në shekullin XX, atëherë Gursel dhe Bajram Sylejmani janë dy nga figurat themeltare që mishërojnë këtë projekt dhe e lidhin me identitetin evropian të Kosovës. 7. Korniza ndërkombëtare: nga sakrifica tek ndërhyrja e NATO-s Sakrifica e Gursel dhe Bajram Sylejmanit duhet të analizohet jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në kuadrin e zhvillimeve ndërkombëtare që çuan drejt ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Lufta e UÇK-së ishte faktor përcaktues për ta bërë të dukshme krizën kosovare në arenën ndërkombëtare, duke e nxjerrë atë nga margjinat e politikës rajonale dhe duke e shndërruar në një çështje të sigurisë evropiane. Rënia e tyre më 1998 ndodhi në një moment kur bashkësia ndërkombëtare ende ndiqte politikën e “hapave të vegjël” dhe të presionit diplomatik mbi Beogradin. Megjithatë, masakrat ndaj civilëve, shpërnguljet masive dhe rezistenca e armatosur e UÇK-së, ku Gurseli e Bajrami ishin ndër figurat kyçe në Nënzonën Operative të Nerodimes, bënë që status quo-ja të bëhej e paqëndrueshme. Në këtë kuptim, lufta e tyre nuk ishte e izoluar nga dinamika globale, por e ndërlidhur ngushtë me zhvillimet ndërkombëtare në prag të krijimit të doktrinës së re mbi ndërhyrjen humanitare. Sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së i dha legjitimitet moral dhe politik idesë se ndërhyrja ushtarake ndërkombëtare ishte e domosdoshme për të ndalur krimet dhe për të parandaluar spastrimin etnik. Ky është një dimension ku trashëgimia e tyre fiton një kuptim të dyfishtë: nga njëra anë, ata përfaqësojnë përpjekjen e brendshme të popullit shqiptar për vetëvendosje; nga ana tjetër, ata mishërojnë lidhjen e kësaj përpjekjeje me parimet universale të të drejtave të njeriut dhe me përgjegjësinë ndërkombëtare për mbrojtje (Responsibility to Protect – R2P). Në këtë mënyrë, gjaku i tyre i derdhur nuk ishte vetëm për lirinë kombëtare, por edhe për afirmimin e Kosovës si pjesë të arkitekturës së re të sigurisë evropiane.
Lufta e UÇK-së dhe identiteti evropian i Kosovës
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk mund të reduktohet vetëm në një përballje të armatosur mes shqiptarëve dhe aparatit represiv serb; ajo duhet të kuptohet si një projekt i gjerë emancipues, që e lidhi fatin e Kosovës me orientimin euroatlantik. Ky projekt shënoi një ndërprerje historike me politikën joviolente të dekadave të mëparshme, duke krijuar kushte të reja për afirmimin e subjektivitetit politik të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe duke ndalur një projekt të qartë të spastrimit etnik.
Në këtë kuadër, lufta e UÇK-së përfaqësonte themelin e identitetit të ri politik të Kosovës, të cilit legjitimiteti i buronte jo vetëm nga sakrifica e popullit shqiptar, por edhe nga ndërhyrja e fuqive perëndimore dhe veprimi i NATO-s. Ky bashkërendim midis faktorëve të brendshëm dhe atyre ndërkombëtarë e pozicionoi Kosovën jo më si një periferi të harruar të Ballkanit, por si pjesë aktive të arkitekturës së re të sigurisë evropiane.
Në një kohë kur, si brenda Kosovës ashtu edhe në Perëndim, ekzistonin diskurse denigruese apo skeptike ndaj UÇK-së, shkrimtari i madh Ismail Kadare artikuloi një qëndrim diametralisht të kundërt, duke u bërë një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të saj. Në një intervistë për gazetën gjermane Tagesspiegel (01.06.1999), Kadare e paraqiti armatosjen e UÇK-së jo si një objektiv në vetvete, por si një mjet të përkohshëm të vetëmbrojtjes kolektive, i legjitimuar nga mungesa e garancive efektive ndërkombëtare për mbrojtjen e popullatës civile. Nëse NATO hezitonte të angazhohej me trupa tokësore, argumentonte Kadare, atëherë mbështetja për palën që ishte e gatshme të merrte përsipër rrezikun për të mbrojtur civilët ishte e domosdoshme dhe e arsyeshme.
Megjithatë, Kadare theksonte me qartësi se legjitimiteti i armatosjes pushonte së ekzistuari me tërheqjen e forcave serbe dhe me vendosjen e kontrollit ndërkombëtar në Kosovë. Në këtë mënyrë, pozicioni i tij afirmonte një parim të rëndësishëm: lufta nuk ishte qëllim, por një instrument i kufizuar për të mbrojtur popullin dhe për ta sjellë Kosovën në hapësirën e sigurisë ndërkombëtare.
Ky vizion e zhvendos diskursin mbi UÇK-në nga një kornizë e ngushtë ballkanike drejt një perspektive më universale. Për Kadarenë, përpjekja e shqiptarëve për liri dhe dinjitet ishte pjesë e emancipimit evropian, një segment i pandashëm i procesit historik të Evropës për të ndërtuar një rend demokratik dhe human pas shembjes së totalitarizmave dhe gjenocideve në fundin e shekullit XX.
Kjo qasje është me rëndësi të veçantë, sepse e integron Luftën e Kosovës në narrativën më të gjerë të transformimit demokratik evropian. Në këtë kuptim, sakrifica e luftëtarëve të UÇK-së dhe ndërhyrja ndërkombëtare nuk ishin një konflikt periferik, por një kapitull i rëndësishëm në historinë e Evropës moderne – një Evropë që afirmon vlerat e lirisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor.
Konkluzion
Trashëgimia atdhetare e vëllezërve Gursel dhe Bajram Sylejmanit nuk është vetëm pjesë e kujtesës historike të Kosovës, por edhe një gur themeli i identitetit politik dhe evropian të saj. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilës ata i dhanë jetën, nuk mund të kuptohet vetëm si një projekt i brendshëm kombëtar, por si pjesë e një procesi më të gjerë të emancipimit demokratik dhe të afirmimit të parimeve universale të të drejtave të njeriut. Në planin historik, ata mishërojnë kalimin nga politika e rezistencës joviolente tek rezistenca e armatosur, duke treguar se iluzioni i kompromisit nuk mjaftonte përballë politikës shfarosëse serbe. Në planin politik, ata përfaqësojnë lidhjen e luftës së UÇK-së me strategjinë ndërkombëtare që kulmoi me ndërhyrjen e NATO-s, duke e vendosur Kosovën në qendër të arkitekturës së re të sigurisë evropiane. Në planin kulturor dhe shoqëror, ata janë simbol i një vetëdije historike që shndërron kujtesën e sakrificës në forcë për brezat e ardhshëm.
Prandaj, kujtimi i tyre nuk është vetëm një akt respekti ndaj së kaluarës, por një obligim politik dhe moral ndaj së ardhmes: të ruhet trashëgimia e luftës çlirimtare si themel i shtetit të Kosovës dhe të shihet ajo si pjesë e pandarë e procesit të integrimit euroatlantik. Në këtë kuptim, Gursel dhe Bajram Sylejmani mbeten jo vetëm dëshmorë të kombit, por edhe përfaqësues të asaj trashëgimie evropiane që e kthen Kosovën nga një hapësirë e shtypjes dhe marginalizimit në një subjekt aktiv të historisë moderne evropiane.