
Lufta për liri nuk mund ta ketë një ushtri tjetër, ndryshe nga ajo për çlirim nga okupatori
Profesori universitar, Flamur Shala, përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se lufta për liri nuk mund ta ketë një ushtri tjetër, ndryshe nga ajo për çlirim nga okupatori, raporton “Epoka e re”.
“Në çdo kohë lufte për çlirim, kudo që bëhet ajo luftë, kombet e kanë ose e bëjnë një UÇK (K-kombëtare). Lufta për Liri nuk mund ta ketë një ushtri tjetër, ndryshe nga ajo për çlirim nga okupatori”.
“Rruga e përpjekjeve për çlirim, e një populli të martirizuar, është ndryshe nga të gjitha rrugët e përpjekjeve për ta mbajtur të okupuar një vend dhe për ta diskriminuar popullin e tij”, ka shkruar Shala.
Ai ka theksuar se rruga për çlirim është rrugë e pashkelur nga ata që “mbyllin mendjen me dry” (populli).
“Është e paprovuar më parë nga brezi që e vazhdon atë. Është “zanat” që mësohet duke ecur ditëve me diell e netëve pa hënë. Rruga për liri është përplot me idealizëm, përplot me sakrifica dhe e sublimuar me gjakun e dëshmorëve të kombit”.
“Ideali i LIRISË nuk pushon së ekzistuari kurrë. Është me të njëjtën fuqi, si në kohë përpjekjesh për çlirim, si në kohë lufte, si në kohë lirie. Ideali i lirisë është ideali i dëshmorëve të kombit, është themeli i ndërtimit të lirisë, i demokracisë dhe mirëqenies”, ka shkruar ndër të tjetra Shala.
Ai ka thënë se vendi nuk ndërtohet as nuk zhvillohet pa këtë ideal-idealizëm, pa idealistë, pa mbrojtësit e vlerave më sublime të lirisë e të ndërtimit të atdheut.