
Lufta për titullin në Formula 1, Rosberg: Norris ka nevojë për psikolog
Lando Norris u kalua përsëri nga shoku i tij i ekipit, Oskar Piastri, në Çmimin e Madh të Spanjës në Formula 1.
Lideri aktual i Kampionatit Botëror u ngjit në shkallën e parë të podiumit në Montmelo, duke fituar kështu një tjetër përballje brenda skuadrës MekLaren. Një sukses që e thelloi epërsinë e Piastrit në krye të renditjes, duke e çuar në +10 ndaj Norrisit.
Duke pasur parasysh këtë skenar, Niko Rosberg, kampion Bote me Mercedesin në vitin 2016, nxitoi t’i ofronte pilotit britanik disa këshilla që mund t’i shërbejnë për pjesën e mbetur të sezonit.
GABIME TË VOGLA ME PASOJA TË MËDHA Ish-kampioni gjerman foli për disa “gabime të vogla” që mund t’i kushtojnë një titull botëror Norrisit, duke iu referuar humbjes së “pole position” në Barcelonë. “Lando ishte i pari deri në daljen e fundit, por ai bëri një gabim të vogël në kthesë, duke drejtuar gjerë në dalje”, shprehet Rosberg. Për më tepër, gabime të tilla mund të jenë vendimtare më vonë gjatë sezonit kur bëhet fjalë për përcaktimin e kampionit.
Duke pasur parasysh këtë skenar, Rosberg e këshillon Norrisin të punojë në aspektin mendor për të qenë i gatshëm që të përballet në luftën për titullin me Piastrin, apo një sfidë të mundshme edhe me Vershtapenin më vonë gjatë sezonit. Ishpiloti gjerman pohon se përgatitja psikologjike është po aq e rëndësishme sa stërvitja fizike në sportet motorike. “Ne të gjithë kalojmë orë të tëra duke stërvitur trupat tanë, dhe nuk e di nëse Lando ka një trajner mental apo nëse punon me një psikolog. Ai duhet ta bëjë”, theksoi Rosberg.
SITUATË E NJËJTË Vetë Rosberg e ka kaluar të njëjtën situatë në vitin 2016. Niko u tërhoq pasi fitoi titullin e tij të parë dhe të vetëm botëror në vitin 2016 në Formula 1, ndërsa tregon se puna me një psikolog e ndihmoi të kalonte pjesën më të madhe të sezonit. “Më ndihmoi shumë të kuptoja dhe të gjeja qasjen më të mirë të mundshme. Në vitin tim si kampion, dy orë çdo dy ditë para sezonit në pranverë ishin shumë të rëndësishme. Stërvitja mendore është shumë më e vështirë se stërvitja fizike, por është thelbësore”, shpjegon ish-piloti gjerman.