
Lufta Rusi-Ukrainë, Erdogani shpreson “të hapë derën” për një armëpushim të përhershëm
Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë rënë dakord të takohen për bisedime, të cilat zhvillohen nesër (e enjte) në Turqi.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka thënë se shpreson se takimi në resortin jugor të Antalias do të “hapë derën për një armëpushim të përhershëm”.
Nuk është e qartë se çfarë shansi ka ai për përparim, pasi presidenti rus ka thënë se do të ndjekë qëllimet e tij qoftë përmes negociatave apo veprimeve ushtarake.
Turqia është anëtare e NATO-s, por presidenti i saj është përpjekur të krijojë një qëndrim të ndryshëm nga vendet perëndimore për pushtimin rus. Ndërsa ai ka thënë se Turqia nuk e pranonte atë që po ndodhte me ukrainasit, sanksionet ishin “pothuajse shndërruar në një gjueti shtrigash kundër popullit, letërsisë, studentëve dhe artistëve rus”.
Ai ka veçuar Filarmoninë e Mynihut për shkarkimin e dirigjentit të njohur dhe mbështetësit të Putinit, Valery Gergiev, duke e quajtur atë “qesharake”.