Lufta tregtare SHBA-Kinë tronditë bursat në Azi

14 maj 2019 | 11:42

Përshkallëzimi i luftës tregtare mes SHBA dhe Kinës ka tronditur tregjet e aksioneve.

Trazirat në “Wall Street” u shtrinë në bursat aziatike, përfshirë atë të Hong Kongut dhe Japonisë, që mëngjesin e sotëm, u çelën me humbje. Reagimi i tyre erdhi pas njoftimit të Kinës se do t’i përgjigjet rritjes së tarifave nga Amerika me masa shpaguese.

Pekini njoftoi se nga 1 qershori, do t’i rrisë dhe ai tarifat me mbi 60 miliardë mallra amerikane. Lëvizja e tij pasoi vendimin e administratës Trump për t’i rritur nga 10% në 25% tarifat mbi mallra kineze eksporti me vlerë 200 miliardë dollarë, kjo pas dështimit të bisedimeve tregtare mes dy ekonomive më të fuqishme të globit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang, tha në një konferencë për media se Kina “nuk do të dorëzohet kurrë ndaj presionit të jashtëm”.

Pak orë përpara vendimit të saj, Trump kishte shkruar në “Twitter” se Kina nuk duhet të hakmerret, por edhe se konsumatorët amerikanë mund t’i shmangin tarifat duke blerë prodhime të njëjta nga burime të tjera.

Uashingtoni thotë se sufiçiti tregtar i Kinës me SHBA-në është rezultat i praktikave të padrejta, përfshirë mbështetjen e shtetit për kompanitë vendase. SHBA-ja gjithashtu e akuzon Kinën për vjedhjen e pronës intelektuale nga firmat amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Garat e rregullta në Superligën e futsallit tashmë kanë përfunduar…