
Luftimet Izrael-Iran: Britania dërgon avionë në Lindjen e Mesme
Mbretëria e Bashkuar po dërgon avionë të tjerë luftarakë në Lindjen e Mesme, teksa luftimet mes Izraelit dhe Iranit po intensifikohen.
Kryeministri Keir Starmer ka deklaruar se avionët, mes të cilëve ata të llojit “Tajfun” dhe ata që shërbejnë për furnizimin me karburant, po dërgoheshin në rajon për të mbështetur njësitë.
Starmer ka theksuar se situata po ndryshon me shpejtësi dhe këto ndryshime po diskutohen me aleatët. “Mesazhi ynë i vazhdueshëm është çtensionimi”, ka thënë Starmer, përcjell euronews.
Për herë të fundit, Mbretëria e Bashkuar i kishte dërguar avionët luftarakë në rajon vitin e kaluar, kur qeveria tha se aeroplanmbajtësja britanike kishte luajtur një rol kyç në parandalimin e përshkallëzimit.
Kryeministri Starmer i ka bërë komentet rrugës për në Kanada, ku do të zhvillohet samiti i G7-s, ku zhvillimet e fundjavës pritet të jenë në qendër të bisedimeve.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai amerikan Donald Trump janë mes liderëve që kanë mbërritur në lokalitetin Alberta, ku mbahet samiti.
Kryeministri as e ka mohuar dhe as pohuar mundësinë që avionët britanikë të ndihmojnë Izraelin, sikurse ndodhi në prill dhe tetor të vitit të kaluar.
Irani ka paralajmëruar Britaninë, Francën dhe Amerikën se, nëse mbështesin izraelin, anijet dhe bazat e tyre në Lindjen e Mesme do të konsiderohen objektiva legjitimë.