
Luis Diaz kalon te Bayerni për 75 milionë euro
Luis Diaz është zyrtarisht lojtari më i ri i Bayern Munchen. Klubi gjerman ka arritur një marrëveshje të plotë me Liverpoolin për transferimin e sulmuesit kolumbian kundrejt 75 milionë eurove, duke mbyllur një nga sagat më të përfolura të merkatos së verës. Diaz ka firmosur një kontratë deri më 30 qershor 2029 dhe do të mbajë fanellën me numrin 14.
Sipas mediave gjermane, paga e tij te Bayern do të jetë 14 milionë euro në vit, duke katërfishuar rrogën që merrte te Liverpoolin, ku ishte ndër lojtarët më pak të paguar të skuadrës. Dëshira e “Lucho”-s për të lënë “Anfieldin” kishte nisur të flitej që në fillim të korrikut dhe më në fund u bë realitet.
Diaz, i cili ishte një nga objektivat kryesorë të trajnerit Vincent Kompany, pritet të jetë një shtesë e madhe për repartin ofensiv të kampionëve të Gjermanisë. Ky transferim është i treti më i shtrenjtë në historinë e Bayernit, pas Harry Kane (95 milionë) dhe Lucas Hernandez (80 milionë). Gjithashtu barazon James Rodriguezin si transferimi i dytë më i shtrenjtë për një futbollist kolumbian, pas Jhon Duran (77 milionë te Al-Nassr).