
Luiza Gega shpërthen kundër Federatës, nuk merr në Evropianin e shteteve
Këtë javë zhvillohet në Slloveni eventi i Kampionatit Evropian të Shteteve në sportin e atletikës, event ku merr pjesë edhe Shqipëria. Në këtë event, Shqipëria garon në Divizionin e tretë, atë të vendeve të vogla e të dobëta (para dy vitesh u renditëm në vendin e shtatë). FShA-ja, pasi përfundoi kampionatin, përzgjodhi edhe ekipin kuqezi, mes të cilëve ishte edhe atletja Luiza Gega.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, kampionia e Evropës në 3000m/p sqaron se nuk do të shkojë edhe pse fillimisht kishte rënë dakord për të garuar. Gega pranon se për të është e lehtë të triumfojë në këtë event, por shpreh pakënaqësitë për Federatën: “Duhej të bënim 20 orë rrugë me autobus e më pas të garonim. Për herë të fundit që kam shkuar kështu në një aktivitet ka qenë para 20 vitesh”. “Është shumë e lodhshme si rrugë, pasi një sportist nuk jep dot maksimumin në garë pas një udhëtimi të tillë. Është zhgënjyese, pasi presidenti i ri deklaroi pasi u zgjodh në krye të Federatës se do të mbështesë sportistët, por na ktheu 20 vite pas”, ka shtuar Gega.
“Po ashtu, na kujton me e-mail të marrim edhe uniformat, pasi nuk ka blerë të tilla. Garojmë me uniformat e dy viteve më parë. Mendoj se presidenti i ri duhej të bënte një ndryshim, duke mbështetur atletët financiarisht. Uroj që gjërat të ndryshojnë në të ardhmen”, ka deklaruar Luiza Gega.