Lukashenko përpiqet të mos e zhytë Bjellorusinë në luftë pas ultimatumit të Zelenskyt
Aleksandr Lukashenko ndodhet në një situatë të vështirë sepse i duhet të sigurohet që Bjellorusia nuk do të zhytet në luftën e Rusisë në Ukrainë, pas një ultimatumi nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili la të kuptohej për veprime ushtarake ose të fshehta ukrainase.
Lukashenko, i cili e ka sunduar Bjellorusinë me dorë të hekurt qëkurse u zgjodh për herë të parë si president në vitin 1994, lejoi që vendi i tij të përdorej si pikënisje për forcat ruse kur ato e filluan pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Por, megjithëse ai ka bërë deklarata tejet proruse në vitet që pasuan, ai gjithashtu është përpjekur ta ruajë statusin neutral dhe joluftarak të Bjellorusisë. Ultimatumi i Zelenskyt e sfidon këtë qëndrim të tij.
“Lukashenko e kupton se është i cenueshëm. Dhe, Ukraina po flet nga pozita e të fortit”, tha Vadim Mozheiko, drejtor i Institutit Kosciuszko me bazë në Krakov, një institut kërkimor.
“Ukraina ka gjetur gjuhën me të cilën duhet t’u flitet diktatorëve të tillë si Lukashenko”, i tha ai Current Time më 22 qershor.
Çfarë tha Zelensky?
Duke folur në një konferencë për shtyp më 19 qershor, Zelensky pretendoi se Rusia po përdorte stacione transmetimi sinjalesh në Bjellorusi për të ndihmuar në drejtimin e raketave të saj drejt objektivave në Ukrainë.
“Çfarë kuptimi ka që [Lukashenko] thotë se nuk dëshiron të jetë në luftë? Le ta heqë këtë pajisje, le ta fikë atë. Mendoj se një javë do të jetë e mjaftueshme që ai ta bëjë këtë”, tha ai, duke shtuar: “Nëse ai nuk e bën, do ta bëjmë ne”.
Zelensky e përsëriti thirrjen për veprim, dhe një kërcënim të nënkuptuar për pasoja nëse nuk ndërmerrej veprimi, në një postim të mëvonshëm në rrjetet sociale dhe në një intervistë televizive.
Në të njëjtën intervistë, më 21 qershor, ai tha se nuk kishte marrë asnjë përgjigje ndaj mesazhit të tij nga Lukashenko, i cili gjithashtu u përmbajt nga çdo deklaratë publike mbi këtë çështje.
Valery Kavaleuski, ish-diplomat bjellorus që drejton Agjencinë për Çështje Euro-Atlantike, i tha Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë se kjo heshtje pasqyronte politikën afatgjatë të Lukashenkos.
“Ky është një nga synimet e pakta që bashkon si qeverinë bjelloruse, ashtu edhe opozitën demokratike në mërgim: shmangien e përballjes ushtarake dhe parandalimin që Bjellorusia të bëhet pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në konflikt”, tha ai.
“Regjimi bjellorus ka ndjekur një qasje relativisht të qëndrueshme jo vetëm ditët e fundit, por edhe gjatë disa muajve të fundit. Deklaratat përshkallëzuese dhe konfrontuese nga Kievi drejtuar Minskut kanë mbetur kryesisht pa përgjigje, gjë që ka ndihmuar në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës”, shtoi ai.



