Lulzim Basha ia njeh meritat Sali Berishës por parashtron kushte për bashkëpunim

30 mars 2024 | 22:21

Nuk ka përjashtime nga bashkëpunimi me askënd, por ka katër kushte të qarta dhe të panegociueshme për Lulzim Bashën: Reforma Zgjedhore, listat e hapura, votimi elektronik dhe ai i diasporës.

Këto janë kritere që i kërkojnë shqiptarëve dhe shumica e shqiptarëve i do listat e hapura sipas tij, duke përbërë kështu shtyllat e para ku bazohen interesat e aleatëve potencialë të PD-së, duke mos përjashtuar askënd, as Sali Berishën.

Teksa interesi i dytë është shteti i të drejtës dhe më pas partneriteti me aleatët tanë perëndimorë.

Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, ka thënë megjithatë se është i keqardhur për situatën në të cilën ish-kryeministri, Sali Berisha, ndodhet aktualisht (arrest shtëpie), teksa ka nënvizuar edhe faktin se vendimet personale të këtij të fundit, e kanë kushtëzuar rëndë të djathtën shqiptare.

Nga ana tjetër, për kryeministrin aktual, Edi Rama, mendon se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e duan që të drejtojë vendin.

Këtë dhe aktualitete të tjera Basha i ceku si çështje gjatë një interviste televizive për News 24, ku fillimisht pasqyroi situatën brenda PD-së që drejton.

“Kam një qëndrim konstant për Berishën. Ka pasur përgjegjësinë dhe privilegjin të drejtojë PD për një kohë të gjatë. Ka arritur shumë gjëra të mira me PD për Shqipërinë”, preku ai fillimisht.

Më tej, tha se është e qartë se vetë historia e PD-së është e lidhur me Berishën, por kjo gjë veçse ia shton përgjegjësinë atij, për të mos i cenuar interesat e partisë politike, ndryshe nga sa po bën tani për tani, sipas Bashës.

“Rruga që zgjodhi Berisha dëmtoi interesat e PD. Rruga që unë i propozova, nëse do të ishte ndjekur, do të ishim në një gjendje shumë më të mirë”, vijoi.

Sipas kreut demokrat, në kohën kur ai mori vendimin për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar demokrat, ka pasur bashkëpunëtorë, të cilët kanë ngritur shqetësim se po gabohej me këtë akt.

Por ai e ka përforcuar faktin se vendimmarrja i takonte atij vetë dhe ka pasur edhe njerëz, të cilët kanë reflektuar se një hap i tillë duhet të vinte herët ose vonë.

Nga ana tjetër, duke folur për kryeministrin Rama, sipas Bashës atë nuk e do në krye të vendit shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Në fjalën e tij, ai shtjelloi se PD-ja zyrtare është një problem real për kryeministrin.

Zgjidhjen për largimin e tij gjithsesi, nuk e sheh te protestat, pasi mendon se këto të fundit kanë dështuar në kohë, por mund të shërbejnë si impulse për të ngacmuar nervin e shoqërisë.

Lidhur me vetë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Basha përmblodhi shkurt se kryesia e PD-së miratoi udhëzimin për përzgjedhjen e kandidatëve dhe degët duhet të nisin nga puna.

Ai po ashtu tregoi edhe se do të organizohet së shpejti një Kuvend programor, ku do të shpaloset programi politik dhe qeverisës i PD-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Abby dhe Brittany, 34-vjeç  janë dy motra siameze që fituan…