Lulzim Gacaferi, 2-shi i Vetëvendosjes për asamblenë komunale të Junikut

20 shtator 2025 | 12:47

Kandidati për kryetar të Junikut, Jetmir Tofaj, ka prezantuar njërin ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, ish-asambleistin më të votuar në Junik, Lulzim Gacaferin si kandidat për asamble të Junikut me numër 2 të listës zgjedhore të Lëvizjes…

Prezantimi i plotë i Tofajt:

Lulzim Gacaferi, kandidati me numrin 2 i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, një emër i njohur në Junik, një zë i fuqishëm për drejtësinë, barazinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunës sonë.

Me një përvojë të gjatë e të vlefshme në shërbim publik, Lulzimi ka qenë asambleist i Kuvendit Komunal të Junikut për dy mandate radhazi, duke u bërë në zgjedhjet e fundit asambleisti më i votuar nga të gjitha subjektet politike. Ky besim qytetar nuk erdhi rastësisht, por si rezultat i punës së tij të palodhshme, qëndrimeve të qarta dhe angazhimit të vazhdueshëm në mbrojtje të interesit publik.

Kontributi i tij në luftë dhe në paqe është i njohur për të gjithë, si njëri nga ata që nuk u kursyen asnjëherë kur ishte në pyetje e mira e përbashkët.

Edhe pse ka ndërtuar një karrierë mbresëlënëse si sipërmarrës i suksesshëm në Mynih të Gjermanisë, me dhjetëra të punësuar dhe me reputacion të lartë në fushën e biznesit, Lulzimi kurrë nuk e ka harruar prej nga vjen. Ai ka qenë gjithmonë pranë Junikut, me ndihmë konkrete, me investime, me angazhim personal, me zemër të madhe e shpirt human.

Në Kuvendin Komunal, Lulzimi ka qenë ndër zërat më të fuqishëm kundër padrejtësive, keqpërdorimeve dhe vendimeve të padrejta, duke u shndërruar në simbol të guximit dhe përfaqësimit të denjë qytetar.

Me një kombinim të rrallë mes përvojës institucionale, suksesit në diasporë, ndershmërisë dhe dashurisë për vendlindjen, Lulzim Gacaferi është zëri që Juniku e njeh dhe i beson.

Ai i bashkohet listës sonë për një Junik që respekton punën, njerëzit dhe të ardhmen – një Junik të drejtë, zhvillimor dhe me dinjitet për secilin qytetar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dukagjin Rudari, emër i njohur i gazetarisë sportive, i është…