LUMI I SHKRELIT

22 prill 08:23

Valbona Hysenaj

 

Ku i përpiu ky lumë ëndrrat e verës së ikur

bashkë me dashurinë time të parë,

diku në valët e shkumëzuara të Grykës?

 

Kujt ia bashkoi ky lumë lotët e mi të fikur

Gurrave të Hajlës që gurgullojnë pa pra?

 

E megjithatë,

në fytyrën time akoma mbeti gjurmë loti.

 

Ku i përpiu lumi këngët e mia plot gaz

që përziheshin me fyellin e bariut

e blegërimën e qengjave.

 

O, po ky lumë si asnjë lumë

Nuk e kthen rrjedhën pas!

___________

 

(Gusht 1997)

POEZI PËR NËNËN

 

Bukuria jote si në këngët kreshnike,

dikur vashë malësie

ngritur në piedestal poezie.

 

Sot kraharor rënduar

nga kjo kohë mynxyrë.

 

U përkund djepi me duart e tua,

me po ato duar

buka e bardhë u gatua.

 

Rrudhat në ballë

dëshmi e vuajtjes dhe vuratë.

 

Nëna ime, mbretëresha ime e rrallë,

Loti dhe gëzimi im më i madh.

____________

 

(Korrik 2002)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Libri Ndërmjetësime letrare është një panoramë dhe një përzgjedhje shkrimesh…