Lumir Abdixhiku nuk jep dorëheqje, Kuvendi i LDK-së vendos përmes mocionit të votëbesimit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka ndërmend të japë dorëheqje nga posti i tij. Abdixhiku ka vendosur të mos tërhiqet nga pozita e kryetarit, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Kuvendi i LDK-së do të vendos përmes mocionit të votëbesimit.
Edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, deklaroi se më 31 janar kryetari Lumir Abdixhiku do të kërkojë votëbesim nga Kuvendi i LDK-së.
“Sikurse rëndom, pati një diskutim gati katër orë, një diskutim i hapur dhe demokratik. Duke filluar nga një analizë e zgjedhjeve dhe duke kulmuar, sipas kërkesës së vetë kryetarit, që të ftohet Kuvendi me datë 31 janar. Në këtë Kuvend, ai do të ofrojë dorëheqjen e tij, duke ia lënë Kuvendit që të vendosë”, tha Mustafa.
Ai shtoi se kjo është formë e kërkesës së votëbesimit, ndërsa theksoi se 355 delegatë do të vendosin se si do të trajtohet kjo çështje.
“Për momentin, jemi në procesin e votëbesimit”, deklaroi Mustafa.



