Lushaku: Albin Kurti mbrëmë e hoqi maskën, ai s’e do shtetin e së drejtës, do pushtet pa kontroll
Jehona Lushaku e LDK-së, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mbrëmë në paraqitjen e tij televizive “e ka hequr maskën”.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se gjatë intervistës që Kurti ka dhënë në “Kanal 10” ka mbrojtur të gjithë të akuzuarit e partisë së tij dhe ka sulmuar prokurorinë, gjyqësorin e shtetin e së drejtës.
Lushaku ka thënë se kjo shpërfaq “frikë nga drejtësia” dhe se Kurti do pushtet pa kontroll ku partia është mbi ligjin.
Postimi i plotë i Lushakut:
ALBINI PA MASKË
Mbrëmë, Albin Kurti e hoqi maskën.
Në televizion pas disa vite mungesë, me plot zell, i mbrojti të gjithë të akuzuarit e partisë së tij.
Jo drejtësinë. Jo ligjin.
Por, njerëzit e Vetëvendosjes që po hetohen për korrupsion.
Në të njëjtën kohë, sulmoi prokurorinë.
Sulmoi gjyqësorin.
Sulmoi shtetin e së drejtës.
Kjo s’është mbrojtje e pafajësisë.
Kjo është frikë nga drejtësia.
Ky është presion politik.
Ky është mentalitet autoritar.
Çka të presim më shumë nga një kryeministër që vetë nuk i përgjigjet drejtësisë?
Që refuzon thirrjet e gjykatave?
Që sillet sikur ligji vlen për të tjerët, jo për të?
Albin Kurti nuk do shtet të së drejtës.
Ai do pushtet pa kontroll.
Pushtet ku partia është mbi ligjin.
Ku kryeministri sillet sikur është vetë shteti.
Kosova nuk guxon ta pranojë këtë.
Kushtetuta e ligjet duhet të vlejnë për të gjithë edhe për pushtetin.



