Lushaku: Qeveria e ka bllokuar buxhetin për Prishtinën
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka bllokuar buxhetin e Komunës së Prishtinës, duke shkaktuar probleme serioze në funksionimin e shkollave dhe institucioneve komunale.
Lushaku ka deklaruar se “shumë shkolla në Prishtinë sot janë pa energji elektrike, sepse Qeveria Kurti ia ka bllokuar buxhetin Komunës së Prishtinës”.
Ajo ka thënë se për shkak të mungesës së mjeteve financiare, “Kuzhina e Kryeqytetit nuk ka para për bukën që ua shërben fëmijëve në çerdhe e shkolla”, ndërsa shumë investime arsimore janë pezulluar.
“Askush nuk ka të drejtë ta bllokojë buxhetin komunal, siç po e bllokon Qeveria Kurti për qëllime elektorale”, ka shkruar Lushaku në rrjetet sociale duke theksuar se “partitë e politikanët me mendësi bllokuese duhet të përjashtohen”.
Sipas saj, Prishtina ka nevojë për vazhdim të zhvillimit dhe jo stagnim. “Është koha e projekteve të mëdha për Kryeqytetin. Fëmijët e Prishtinës meritojnë investime nga paratë e prindërve të tyre”, ka shkruar Lushaku.



