Lushaku thotë se LDK-ja “nuk voton” për Presidentin “pa marrëveshje poltike”
Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka qartësuar pozicionin e partisë së saj karshi procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.
Zyrtarja e LDK-së bëri të ditur se subjektit të saj politik nuk mund t’i kërkohet vota pa pasur më parë një dakordim të qartë mes palëve. Sipas saj, pesha politike e LDK-së në Kuvend dikton nevojën për negocim.
“Këtu kërkohet një marrëveshje politike, LDK-ja nuk voton pa marrëveshje poltike, sepse ne e kemi numrin e deputetëve, kemi qëndrimet tona”, tha Lushaku, në një paraqitje televizive në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.
Tutje, Lushaku-Sadriu theksoi domosdoshmërinë e një klime bashkëpunuese dhe dialogu të hapur përpara se të dilet me emra konkretë, duke refuzuar kategorikisht çdo formë presioni apo imponimi në këtë proces.
“Kërkohet bashkëpunim, ajo duhet me qenë e qartë që nuk ka imponim të dikujt, është mirë të ketë dialog paraprak dhe me ardhë një kandidat si propozim, ku ekzistojnë marrëveshjes. Ne nuk votojmë me imponim”, ka shtuar ajo.



