Lushtaku: Egocentrizmi dhe mashtrimet e Kurtit e bëjnë të pamundur bashkëpunimin me VV-në
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, në intervistë ka thënë se arsyeja pse PDK-ja nuk sheh mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qeveris kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Lushtakut, “egocentrizmi i Kurtit, përçarja dhe mashtrimet që ai ka bërë para dhe pas fushatës” janë faktorët që kanë bërë të pamundur çdo bashkëpunim mes dy partive.
“Kemi qenë konsistentë në këtë përgjigje, kemi respektuar vullnetin e popullit. E kemi thënë që nga fillimi se egocentrizmi i Albin Kurtit, përçarja, mashtrimet që i ka bërë para por edhe pas fushatës, sigurisht që kanë qenë të mjaftueshme që ne t’ia japim vendimin tonë – një ‘jo’ të madhe për qeverisje, edhe pse s’kemi pasur ndonjë bashkëbisedim në këtë drejtim,” deklaroi ai.
Lushtaku shtoi se qëndrimi i PDK-së ka qenë i pandryshuar dhe se partia e tij respekton vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, por nuk sheh bazë për ndonjë afrim politik me VV-në nën drejtimin aktual të Kurtit./kanal10/



