
Lushtaku: Kosova ka nevojë për Hashim Thaçin (video)
Kandidati për kryetar të Skenderajt nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku ka folur rreth protestës që do të mbahet sot në Hagë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, dhe në revoltë ndaj Gjykatës Speciale.
Mbrëmë, në emisionin më të ri në Klan Kosova, “Jehona Politike”, Lushtaku tha se ai veçse ka “prerë” biletën për në Hagë, por për shkak të një angazhimi të tij, politikani tha se ai nuk mund të marrë pjesë në protestën e organizuar nga diaspora shqiptare, transmeton Klankosova.tv.
“Uroj që të ketë sa më shumë qytetarë në Hagë. Mendoj se i bëjnë nder Kosovës, i bëjnë nder gjakut të derdhur”, u shpreh Lushtaku.
Sipas tij, në Kosovë po ashtu ka njerëz që nuk e mbështesin këtë protestë, e as nuk e presin mirë.
“Mendoj se ata që janë shqiptarë, e presin mirë shkuarjen e njerëzve në Hagë”, tha ndër të tjera ai.
Sa i përket gjykimit të ish-presidentit Hashim Thaçit, Lushtaku tha se beson që do ketë liri për të, por edhe për të gjithë luftëtarët e krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Unë kam bindje që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, baci Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët do të kthehen në Kosovë, do të lirohen. Besoj se vitin tjetër ata do të kthehen në Kosovë. Unë mendoj se Kosovës i duhet Hashim Thaçi”, u shpreh politikani.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për Thaçin në politikë, e sidomos në kryeministri.