“Lutë, u krye puna, fituam!”, kështu i kishte thënë Bajram Kelmendi Lutfi Hazirit në burg

25 mars 2026 | 15:46

Sot shënohet përvjetori i 27-të i vrasjes së avokatit të njohur Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, Kushtrimit dhe Kastriotit, të cilët u vranë nga forcat policore serbe më 25 mars 1999. Këtë përvjetor e ka kujtuar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri, i cili gjatë viteve 1998–1999 ishte i burgosur nga policia serbe dhe mbahej në burgun e Gjilanit.

Haziri ka kujtuar se në atë kohë avokat mbrojtës kishte Bajram Kelmendin. Sipas tij, gjatë një vizite në burg, pas ndodhjes së Masakrës së Reçakut, Kelmendi i kishte thënë se çështja e Kosovës ishte sensibilizuar ndërkombëtarisht dhe se aleatët do të ndërhynin për të ndalur fushatën gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve. “Lutë, u krye puna, fituam!”, i kishte thënë Kelmendi Hazirit gjatë asaj vizite në burg.

Postimi i plotë i Hazirit:

“Lutë, u kry puna, fitum!

Kështu më tha engjëlli im mbrojtës, avokati i mirënjohur kosovar, Bajram Kelmendi, gjatë një vizite në burg, teksa po mbahesha nga regjimi i Serbisë si i burgosur politik. E pyeta çka ka ndodhur. Më tregoi për masakrën e tmerrshme të Reçakut dhe sensibilizimin e shteteve aleate për ta ndalur fushatën gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sot u bënë 27 vite kur u pushkatua engjëlli im mbrojtës, bashkë me dy djemtë e tij, Kushtrimin dhe Kastriotin. Të faleminderit ty dhe bashkëshortes tuaj, Nekibes, me ndihmën e të cilëve mbijetova tmerrin e burgut dhe luftës. Popullin e shpëtuan, por Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij, me gjakun e tyre, ranë dëshmorë nga hakmarrja e egër e shovinizmit dhe okupatorit. Lavdi e përjetshme!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Në shërbim të kombit edhe larg atdheut” është dokumentari që…