LV e përdori FSK’në për propagandë, Ramadani: Qesharakë, të neveritshëm dhe të dëmshëm për Kosovën

29 korrik 2025 | 20:37

Trupi i pajetë i 33-vjeçarit që u zhduk disa ditë më parë në liqenin e Ujmanit është gjetur sot nga njësitet e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një operacion të zhvilluar në bashkëpunim me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. Por ky mision humanitar u shoqërua me polemika, pasi Lëvizja Vetëvendosje, në një postim zyrtar, publikoi një fotografi ku ishin fshirë me photoshop automjetet e KFOR-it që shoqëronin FSK- për në veri, duke e paraqitur sikur FSK kishte hyrë për herë të parë dhe e vetme në veri të vendit, shkruan Periskopi.

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, në një prononcim për Periskopin, e ka quajtur këtë qasje si të rrezikshme dhe të dëmshme për raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me NATO-n.

“FSK është profesionale, kredibile dhe e gatshme. Është Forcë që ka të zhvilluara kapacitete/aftësi të specializuara (“niche capabilities”). Disa prej këtyre aftësive janë të njohura nga NATO që nga viti 2013. Një prej këtyre kapacitetve të njohura si plotësisht operacionale në vitin 2013 janë edhe kapacitetet e Kërkim-Shpëtimit. Në këtë fushë, FSK është prej më të mirave në rajon,” tha Ramadani për Periskopin.

Duke komentuar më tej propagandën rreth gjoja “zbarkimit të parë të FSK-së në veri”, ai thekson se kjo është jo vetëm e pavërtetë, por edhe qesharake në aspektin profesional dhe institucional.

“Abuzimi politik me gjoja ‘zbarkim të FSK në veri për herë të parë’ i bën këta abuzues të jenë edhe qesharak, edhe të neveritshëm, edhe dëmtues. Së pari, FSK nuk zbarkon brenda territorit zyrtar të cilin nga dhjetori 2018 e ka për detyrë ligjore ta mbrojë. Mund të zbarkojë jashtë Kosovës, por asesi brenda Kosovës. Kjo është qesharake,” tha Ramadani për Periskopin.

Ai sqaroi se operacione të tilla janë realizuar edhe më parë, në përputhje me të gjitha procedurat e koordinimit me KFOR-in dhe autoritetet vendore.

“Së dyti, realizimi i operacioneve të FSK në veri ka ndodhur edhe më herët dhe në të njëjtën procedurë sikurse tash: ekziston kërkesa e autoriteteve civile për mbështetje nga FSK, kërkohet pëlqimi i Komandantit të KFOR-it (të cilit i dërgohet plani operacional paraprakisht), Komandanti i KFOR jep pëlqimin dhe autorizon njësitë e KFOR që të jenë bashkë me FSK. Kaq, e thjeshtë është, asgjë spektakulare në kuptimin profesional që pushtetarët mundohen t’i japin ngjyrim politik,” tha ai.

Në fund, Ramadani paralajmëron se manipulimet e tilla me të vërtetën nuk janë vetëm politikisht të papërgjegjshme, por edhe me pasoja të drejtpërdrejta për marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Varësisht nga natyra e kërkesës nga autoritetet civile, FSK autorizon njësitë profesionale. A është dëmtuese kjo sjellje e pushtetarëve? Po, absolutisht. E dëmshme sepse abuzon mirëbesimin midis Kosovës dhe NATO-s. E dëmshme sepse largon mundësinë që KFOR të thërret edhe FSK-në në operacione të KFOR-it në veri. Sepse, e vlerësojnë se abuzimi me mirëbesimin është i qëllimshëm,” tha Ramadani për Periskopin.

Ndryshe ky veprim i VV’së ngjalli reagime të shumta në opinionin publik dhe u cilësua si tentativë për propagandë politike mbi një operacion teknik dhe humanitar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë është shprehur “thellësisht e shqetësuar”…