
LV-ja e konfirmon se ‘bosi i heroinës’ që u arrestua dje ishte aktivist i saj, e përjashton nga partia
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas arrestimit të 22 personave të dyshuar si pjesë e rrjetit të trafikimit të drogës.
Me anë të reagimit, LV-ja e ka pranuar se emri i njërit prej 22 të arrestuarve, Shemsi Bahtiri, është anëtar i kësaj partie.
“Nga mediet kuptuam se njëri prej 22 arrestuarve është aluduar si i afërt me subjektin tonë. Ndonëse nga Prokuroria apo Policia nuk kemi parë asnjë informatë zyrtare me të dhënat personale të të arrestuarve”.
“Megjithatë pas këtij informacioni ne menjëherë kemi verifikuar emrin për të parë nëse i njëjti ekziston në databazën tonë. Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë”, është thënë në reagimin e LV-së.
Më tutje, LV-ja ka theksuar se ky vendim do të jetë qëndrojë në fuqi deri në sqarimin dhe verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë me atë të të arrestuarit.
“Paparaci” dje ka raportuar se i arrestuari Shemsi Bahtiri, del të jetë një njeri i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, posaçërisht me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin e ministrin në detyrë, Xhelal Sveçlën.