LV-ja i ka ofruar alternativë vendit, nëse dështon Konjufca jemi gati për zgjedhje
Ndonëse nuk duan që të vendin ta çojnë në zgjedhje, megjithatë Lëvizja Vetëvendosje thotë se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje nëse mandatari i tyre i dytë, Glauk Konjufca nuk arrin t’i sigurojë 61 vota për t’u ulur në karrigen e shefit të tij Albin Kurti, i cili dështoi të bëjë 61 vota në seancën e 26 tetorit, raporton Ekonomia Online.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, e vlerëson si një “mundësi” çështjen e propozimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, meqenëse siç tha ai në një intervistë për Ekonomia Online interesi i Kosovës është të ketë një Qeverie dhe të kalojë buxheti dhe vendimet të cilat janë të rëndësishme për vendin.
“Interesi i Kosovës është që ta kemi një qeveri edhe të kalon buxheti dhe te merren vendime që janë të rëndësishme për Kosovës dhe qytetarët, këtë VV-ja e ka parë si të nevojshme që të ofrojnë këtë mundësi, ndonëse ishte mundësia edhe me Kurtin që të bëhet një qeveri qoftë edhe afat shkurte që të kryente disa detyra dhe obligime që janë të nevojshme por ai nuk u bë”, ka deklaruar Dugolli.
Fajtor për ngërçin politik, Dugolli e hodhi te partitë ish-opozitare.
“Ne prapë iu kemi ofruar partitive që t’ia mundësojnë qytetarëve të republikës që të kenë buxhetin për vitin e ardhshëm pra mos të hyjmë në ato afate kohore kur janë më shumë të pa njohura të kalojnë disa vendime siç janë edhe buxheti për Prishtinës, Gjilanin dhe Zubin Potokut, gjithashtu të kalohet buxheti për RTK-në sepse ata punëtorë kanë mbetur pa paga për shkak të mos konstitimit të parlamentit gjegjësisht trupave të parlamentarit komisionet siç janë. Ky barrikadim i partive opozitare është i pa kuptimtë dhe nuk i konvenon as atyre, sepse qytetarët më pastaj do t’i ndëshkojnë për këto barrikadime të panevojshme”, theksoi Dugolli në intervistën dhënë për Ekonomia Online.
E nëse vendi shkon në zgjedhje, ai tha se qytetarët duhet ta kuptojnë se LVV ofroi sipas tij alternativa.
“Ne nuk e preferojmë që ta dërgojmë vendin në zgjedhje, pra tani kur kemi një situatë që jemi në fund vitit por nëse nuk bëhet qeveria me Glauk Konjufën si kryeministër, atëherë ne jemi të gatshëm që të shkojmë edhe në zgjedhje, por qytetarët duhet ta dinë këtë sepse ne kemi ofruar alternativë që të dalim nga situatë edhe të mos kemi zgjedhje kaq shpesh sepse përveç se janë të kushtueshme janë edhe të lodhshme për qytetarët”, theksoi ish-deputeti.
Më 4 nëntor, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër në detyrë Albin Kurti propozoi për mandatar për kryeministër Glauk Konjufca. I njëjti menjëherë u mandatua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Sipas Kushtetutës, mandatari ka afat 15 ditë për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen e re të ekzekutivit që duhet të marrë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për t’u zgjedhur.
Konjufca ditën kur u propozua për mandatar, tha se dëshiron bashkëpunim me partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, por jo koalicion.
Ai tha se me zgjedhjen e një qeverie të re të udhëhequr nga ai do të shmangej mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në dhjetor, në mënyrë që vendi të mos ketë dy palë zgjedhje për një periudhë të shkurtër, pasi në prill duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Lideri i LVV-së, Albin Kurti, tha se nuk e sheh as si “mundësi teorike” mundësinë e ndonjë koalicioni për Qeverinë me partitë e tjera shqiptare, për shkak të “mosbashkëpunimit të tyre”.
“Është ndërtuar urrejtje hibride ndaj meje nga disa elementë të opozitës. Tash nuk jam unë. Le ta dëshmojnë se interesi i shtetit është mbi interesin partiak”, tha Kurti gjatë një konference për media mbrëmjen e 4 nëntorit.
Albin Kurti, si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, më 26 tetor dështoi të merrte mbështetjen e Kuvendit për formimin e ekzekutivit.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.
Kujtojmë që, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar që Presidentja Vjosa Osmani të shpallë zgjedhje të reja.
Qëndrim të njëjtë kishin shprehur edhe pas takimit me Osmanin më 31 tetor, takim ku LVV-ja kërkoi disa ditë kohë në tentim për të bërë Qeverinë e re.



