
LV-ja me protesta po përpiqet ta rrisë fuqinë e vet dhe t’i arrijë qëllimet politike
Tash që ka nisur prova e protestës e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, analisti politik Artan Muhaxhiri e ka cilësuar të çuditshëm faktin që një parti që është vetë në pushtet organizon protestë.
“Nuk më pëlqen fare kjo iniciativë, sepse ideja e protestës është që të luftohet sistemi. Është shumë e çuditshme kur një parti – ose përkrahës të saj – që është në qeveri, ka kompetenca ekzekutive dhe pushtet qeveritar e që tenton me anë të protestave ta rrisë fuqinë e saj dhe t’i arrijë qëllimet politike.
Dallimi mes institucionit dhe protestës është për 180 shkallë. Jeta institucionale dhe aktiviteti institucional nuk kamë të bëjë me protesta, sepse është një botë tjetër dhe, për fat të keq, duket një lloj skizme kjo e Vetëvendosjes. Protestat e Vetëvendosjes kanë qenë plotësisht të kuptueshme kur kanë qenë në opozitë për të ardhur në pushtet”, ka shprehur mendimin Muhaxhiri.
Muhaxhiri në Specialen e Klan Kosovës ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë gjithmonë të argumentuara mirë profesionalisht ashtu që kanë pamundësuar që të krijohet debat rreth tyre.
Ai pret që edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit të jetë në të njëjtën linjë. “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në shumicën absolute të rasteve kanë qenë të bazuara në atë mënyrë sa që nuk kanë lejuar ndonjë diskutim anues profesional. Ka pasur diskutim anues politik ku përfaqësuesit e partive politike kanë mundur t’i devijojnë argumentet, por në shumicën absolute të rasteve vendimet kanë qenë të bazuara. Nëse e marrim rastin e fundit, ku dy herë u dëshmua që Lëvizja Vetëvendosje e kishte shkelur Kushtetutën, nuk pati ndonjë diskutim përtej saj. Gjykata Kushtetuese e arsyetoi shumë mirë pse erdhi në këtë përfundim.
Kësaj radhe është pak më ndryshe dhe më problematike, sepse kemi parë mosmarrëveshje mes vetë profesionistëve, por unë i besoj personalisht Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Muhaxhiri.