
LV-ja para gjykatësve të Kushtetueses: Etem Arifi ka gënjyer me qëllim, qeveria është jolegjitime
Ka filluar seanca publike në Gjykatën Kushtetuese ku është duke u diskutuar për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në seancën ku ishte votuar qeveria Hoti.
Me këtë rast, Blerim Sallahu, këshilltar ligjor në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se Etem Arifi dhe institucionet e drejtësisë e kanë mbajtur të fshehtë që Arifi është dënuar me vendim të formës së prerë.
Sipas tij, Arifi kishte gënjyer KQZ-në, duke mos e paraqitur në formularin për certifikim dënimin që i është shqiptuar.
“Etem Arifi ka gënjyer me qëllim duke paraqitur në formularin për certifikim deklaratën se kandidatura e tij është në përputhshmëri me nenin 29. Ai ka cenuar rëndë interesin publik derisa ka kandiduar si deputet. Arifi nuk kishte informuar KQZ-në se ai ishte dënuar me vendim të formës së prerë para certifikimit të tij. Asnjë institucion i drejtësisë nuk e ka informuar KQZ-në për një vendim të tillë”, ka thënë ai.
Sallahu ka theksuar se qeveria Hoti nuk ka arritur të marrë 61 vota për shkak që Arifi ka humbur mandarin e deputetit.
“Qeveria nuk ka arritur t’i marrë 61 vota. Kjo për arsye se Etem Arifi ka humbur mandatin e deputetit për faktin se është dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit. Përbërja e qeverisë nuk ka marrë shumicën e votave për zgjedhjen e saj siç është e caktuar me kushtetutë”, ka thënë ai.