LV-ja: Presidenti të mendojë vetëm për datën e zgjedhjeve, jo për mandatar tjetër

28 mars 2020 | 12:00

Lëvizja Vetëvendosje po i kërkon presidentit Thaçi që ta mendojë datën e zgjedhjeve në vend se të kërkojë emra për kryeministër të ri. Nga Zyra për Media e LV-së kanë thënë për Gazetën Express se porsa të përfundojë pandemia e COVID 19 Kosova duhet të hyjë në afatin kushtetues dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar porosi presidentit Hashim Thaçi të mos mendojë opsion tjetër përpos zgjedhjeve të reja pas përfundimit të pandemisë botërore me koronavirus që ka prekur edhe Kosovën.

Zyra për media e partisë fituese të zgjedhjeve të fundit ka thënë se qeveria në dorëheqje është e fokusuar në luftën e koronavirusit e më vonë për zgjedhje të reja, e jo për të dërguar emër të ri për shef të qeverisë.

“Tash për tash të gjithë ne së bashku me qeverinë jemi të fokusuar rreth pandemisë së koronavirusit. Sapo të kalojmë këtë pandemi menjëherë duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Kësisoj presidenti Thaçi nuk ka çka kërkon emra për kryeministër të ri, por le të mendojë rreth datës së zgjedhjeve porsa të mbarojë çështja urgjente COVID 19”, kanë deklaruar nga LV-ja.

Një ditë më parë presidenti Thaçi tha se prej të hënës do t’i nisë bisedimet për partitë për themelimin e qeverisë së re. Ai tha se kërkon një qeveri me bazë të gjerë.

Sipas Kushtetutës, shefi i Shtetit së pari duhet  të kërkojë nga partia fituese e zgjedhjeve të certifikuara emrin e mandatarit, por nga Lëvizja Vetëvendosje po shprehen kundër dërgimit të emrit të ri për kryeministër.

Qeveria e Kosovës u rrëzua me votat e më shumë se 2/3 e deputetëve pasi LDK-ja organizoi mocion mosbesimi. Negociatat për koalicion në mes të LV-së dhe LDK-së kishin zgjatur më shumë se 3 muaj, kurse qeverisja mes tyre vetëm 50 ditë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Virusi i tmerrshëm COVID-19 vazhdon ta shqetësojë botën. I gjithë…